Gecaj akuzon Qeverinë Kurti për risjellje të Serbisë në Kosovë
Zyrtari i LDK-së, Bajram Gecaj, ka hedhur kritika në drejtim të Qeverisë Kurti pas hedhjes së gurthemelit të Universitetit paralel në Mitrovicën e Veriut nga serbët.
Gecaj thotë se “qeveria e praktikantëve” po mundohet ti ikë përgjegjësisë institucionale dhe shtetërore.
Ai tutje i kundërpërgjigjet edhe deklaratës së zëvendësministrit ku thotë se me rregulloren e aprovuar nga koalicioni LDK-PDK në vitin 2015, është bërë njohja e dioplomave vetëm për qëllime punësimi dhe kjo nuk ka nënkuptuar njohjen e universitetit paralel.
“Duket sheshazi se, për shkak të paaftësisë dhe mungesës së guximit, qeveria po kërkon arsye për të njohur paralelizmin dhe për të ri-sjellë fuqishëm Serbinë në Kosovë” thuhet në reagimin e tij në Facebook.
Reagimi i plotë:
Ashtu si përherë, LVV dhe qeveria e praktikantëve, me bishtnimin e së vërtetës e përmes propagandës, po mundohen t’i ikin përgjegjësisë së tyre institucionale e shtetërore.
Këtë herë kanë vënë në ballë të “frontit” një zëvendësministër dhe aty-këtu ndonjë “analist” mercenarë.
E kemi thënë edhe në reagimin e LDK-së se “Komuna e Mitrovicës së Veriut ka kompetencë për shkollim të lartë …”, por vetëm në kuadër të ligjit dhe me aprovimin e institucioneve relevante shtetërore. Zëvendësministri duhet ta dijë se, sa i përket regjistrave zyrtarë, nuk ekziston fare “Universiteti i Mitrovicës së Veriut”, pasi që një i tillë do të duhej të ishte instaluar në kuadër të ligjit dhe rregullativës së Republikës së Kosovës. Megjithatë, në këtë komunë vepron “Universiteti i Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, e që është një institucion paralel ndaj universitetit publik të Republikës së Kosovës.
Gjithashtu, zëvendësministri shkruan: “Në fakt, legjitimimi ka ndodhur më 30 dhjetor 2015, kur Qeveria e koalicionit LDK-PDK ka aprovuar Rregulloren 21/2015 përmes së cilës shtetasve të RKS që kanë mbaruar studimet në Universitetin e Mitrovicës së Veriut ju njihen diplomat për qëllime punësimi…” Zëvendësministri e thotë edhe vetë, pra, “për qëllim punësimi” (dhe asgjë tjetër). Pra, zëvendësministri ta shfletoi mirë dokumentacioni në fjalë, pasi qe njohja e diplomave ka qenë vetëm një akt i vullnetit të mirë i
Qeverise së Republikës së Kosovës ndaj qytetarëve të vendit të vet, të cilët pa fajin e tyre janë gjendur në një situatë të palakueshme. Njohja e diplomave, vetëm “për qellim punësimi”, nuk ka nënkuptuar asnjëherë “per se” edhe njohjen e universitetit paralel.
Duket sheshazi se, për shkak të paaftësisë dhe mungesës së guximit, qeveria po kërkon arsye për të njohur paralelizmin dhe për të ri-sjellë fuqishëm Serbinë në Kosovë. Nëse qeveria e praktikantëve vërtetë dëshiron ta legalizoi “Universitetin e Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicën e Veriut”, atëherë duhet t’i përcjellë procedurat e detajuara ligjore, dhe jo këtë ta bëjë vetëm përmes lëshimit të autorizimit të vizitës për qeveritarët serbë, e që ata të përshpejtojnë procesin dhe të anashkalojnë procedurat e parapara me ligj.
Edhe pse në qeveri dhe me kontroll absolut të parlamentit, fatkeqësisht, ende vazhdoni të jetoni në botën e ankesave dhe populizimit. Periudhën njëzetvjeçare e kemi lënë pas ne dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, por ju ende vazhdoni të gjeni prehje dhe ngushëllim në të kaluarën, dhe atë kryekëput për shkak të paaftësisë e jo-kompetencës suaj, si dhe mungesës së vullnetit e guximit për tu ballafaquar me botën reale të qeverisjes. Ose përvilni mëngët e kryeni punën të cilën ua keni premtuar zhurmshëm elektoratit, ose lëshoni rruge tjerëve ta bëjnë këtë.