Gati projekti për rrugën “Ibrahim Rugova” në Bruksel
Kandidati shqiptar për deputet në regjionin e Brukselit, Burim Demiri, si pjesë të programit të vet ka emërimin e një rruge në kryeqytetin belg me emrin e presidentit historik, Ibrahim Rugova. Janë paraqitur edhe konturat e kësaj iniciative dhe është formuar komiteti që do të bëjë propozimin konkret, që parasheh emërimin e një rruge me emrin e presidentit historik në komunën Skarbek të Brukselit, ku edhe jeton bashkësia më e madhe shqiptare në Bruksel.
“Sot kam pasur kënaqësinë të organizoj formimin e një komiteti lidhur me projektin tim për një rrugë në Schaerbeek, e cila do të mbaj emrin e Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova.
Shpresojmë që kjo kërkesë të mirëpritet nga komuniteti”, informon Demiri i cili në zgjedhjet e 26 majit garon me numër 15 në listën e partisë DEFI.


