Gates: Vendet e pasura i kthehen normalitetit në fund të 2021-s, nëse vaksina është funksionale
Vendet e pasura mund t’i kthehen normalitetit në fund të vitit 2021, nëse vaksina kundër COVID-19 funksionon, është gati dhe shpërndahet si duhet, ka thënë miliarderi dhe themeluesi i Microsoftit, Bill Gates.
“Në fund të vitit të ardhshëm gjërat mund të kthehen në normal mjaft shumë, ky është versioni më i mirë”, ka thënë Gates për The Wall Street Journal.
Megjithatë, ai thotë se ende nuk dihet nëse vaksina do të funksionojë.
“Ende nuk e dimë nëse vaksina do të ketë sukses. Kapaciteti për t’u rritur do të marrë kohë. Dhe kështu shpërndarja brenda SHBA-së dhe ndërmjet SHBA-së dhe vendeve të tjera do të jetë pika kryesore e diskutimit”, ka thënë Gates.
Vaksinat që janë zhvilluar nga Pfizer/BioNTech dhe AstraZeneca/Univesiteti i Oxfordit janë dy kandidatët që udhëheqin garën për të marrë aprovimin në perëndim për të ndaluar COVID-19.
Gates ka shtuar se në SHBA njerëzit duhet të mendojnë mënyra se si të reduktojnë hezitimin e njerëzve për ta marrë vaksinën anti-covid kur ajo të jetë gati.
I pyetur për vaksinat në Rusi dhe Kinë, ai ka thënë se kompanitë perëndimore ishin mjaft përpara në fazën e tretë të studimit.