Frashëri godet Albinin: Për pak pushtet, s’po bën zë para Speciales për shokët e tu
Ish-deputeti i Partisë Socialdemokrate, Frashër Krasniqi ka thënë se Albin Kurti për pak pushtet, po e len specialen që t’ia marrë shokët dhe të vazhdojë njollosjen e UÇK-së.
Krasniqi përmes një statusi në llogarinë e tij në ‘Facebook’, ka thënë se Albin Kurti dikur i drejtohej Hashim Thaçit se kur Vetëvendosje vjen në pushtet, ne do t’ju mbrojmë nga Gjykata Speciale, kurse sot kur Gjykata Speciale po i fton një nga një ish-komandantët e UÇK-së, as deklaratë mbrojtëse nuk po lëshon.
“Kur Vetëvendosje vjen në pushtet, ne do t’ju mbrojmë nga Gjykata Speciale.” Kështu i drejtohej Albin Kurti dikur Hashim Thaçit. Kurse sot kur Gjykata Speciale po i fton një nga një ish-komandantët e UÇK-së, as deklaratë mbrojtëse nuk po lëshon. Se lëre më të bëjë diçka siç kishte premtuar”, ka shkruar Krasniqi
Tutje ai është shprehur se Albin Kurti, nuk po i mbron as Rexhep Selimin e Gani Krasniqin që i ka në partinë e vet.
“Dhe nuk po flasim këtu vetëm për komandantët e partive tjera. Ai nuk po i mbron as Rexhep Selimin e Gani Krasniqin që i ka në partinë e vet. Dikur i thoshte Thaçit që për pak pushtet po e djeg luftën e UÇK-së dhe gjithë shokët e tij. Sot Kurti vet, për pak pushtet, po e len specialen që t’ia marrë shokët dhe të vazhdojë njollosjen e UÇK-së. Pa asnjë zë, pa asnjë reagim”, ka përfunduar Krasniqi.