Bota

Franca reagon për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri

Franca ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës të dielën në Banjskë të Zveçanit, ku si pasojë vdiq polici Afrim Bunjaku. Në një reagim të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës të hënën, është bërë thirrje që autorët të dalin para drejtësisë sa më shpejt.

Franca dënon ashpër sulmin e papranueshëm ndaj Policisë së Kosovës që ndodhi më 24 shtator, duke lënë të vdekur një zyrtar policor dhe dy të tjerë të lënduar. Franca shpreh ngushëllimet për familjet e viktimave dhe bën thirrje që autorët të dalin sa më shpejt para drejtësisë”, thuhet në reagimin e Francës.

Ky shtet ka thënë se ngjarjet e fundit nënvizojnë “nevojën urgjente që Serbia e Kosovës të veprojnë me përgjegjësi për t’i ulur tensionet dhe të riangazhohen me mirëmbesim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, që është e vetmja mënyrë për të pasur sukses në normalizimin e raporteve mes dy vendeve dhe t’i lejojë të përparojnë drejt BE-së”.

Të dielën, si pasojë e një sulmi të armatosur në Banjskë të Zveçanit u vra polici Afrim Bunjaku. Në aksionin e Policisë, dhjetëra sulmues të armatosur e uniformuar serbë u rrethuan në fshatin Banjskë. Policia u sulmua në vazhdimësi nga sulmuesit. Nga aksioni deri tash janë konfirmuar tre sulmues të vrarë e gjashtë të arrestuar. Është kapur edhe arsenal armësh, ndërsa disa sulmues të tjerë tashmë është thënë se kanë ikur e po trajtohen në spitalet e Serbisë.