Fotografitë e preshevarit Adrian Limanit, publikohen në mediet prestigjioze botërore
Adrian Limani është nga Rainca e Luginës së Preshevës. Studioi në drejtimin Shkenca Kompjuterike dhe së fundmi kreu Digital Marketing Specialist. Tani Adriani jeton dhe vepron në Zvicër. Ai spikat në fotografim. Fotografitë e tij arritën edhe deri në BBC, CNN, Daily News, The Sun, The Australian dhe shumë medie të tjera prestigjioze, shkruan Portalb.
Para se të niste me fotografi, në fillim Adriani u mor me dizajne grafike të ndryshme. Në shtëpinë e tij kamera ka qenë gjithnjë prezente. Që i vogël ka patur interes për pikturimin, muzikën, dizajnin grafik dhe fotografinë.
“Çdoherë më kanë pëlqyer gjërat artistike dhe të bukura. Si fëmijë kam shikuar çdoherë kanale televizive ku emisioni i preferuar ishte Art Attack, i cili shfaqte gjëra të ndryshme artistike. Pastaj unë përpiqesha që ta imitoj dhe t’i bëj gjërat e njëjta. Me fotografi fillova të merrem në vitin 2009, kur edhe isha i pajisur me një kamerë digjitale në atë kohë.” tha Adriani.
Kamera e parë që ka filluar ta përdorë ka qenë kamera digjitale Sony Cyber Shot. Kjo kamerë për të paraqet një histori, pasi që me të filloi të merret gradualisht gjithnjë e më shumë me fotografinë. Ndërsa tani, fotografitë e Adrian Limanit i gjen nëpër mediet botërore dhe madje ai është shpërblyer me çmime të mëdha për punën që bën.
“Çdo gjë ka filluar gradualisht. Pas tre viteve unë kisha bërë një portofol mjaft të pasur sa i përket llojit Fine Art të fotografisë. Andaj, në vitin 2012, një gazetar më kontaktoi për të bërë një intervistë në lidhje me koleksionin tim me fotografitë me poç elektrik. Ajo intervistë përfundoi në tabloidin Daily Mail. Pas disa muajve realizova një intervistë tjetër për koleksionin tim me hënën, i cili është një nga më të publikuarit dhe më të famshmit që kam bërë.” u shpreh Limani.
Kulmin e arritjeve e kishte në vitin 2014, kur u shpërblye me medalje të artë në kategorinë e fotografive eksperimentale në një nga kompeticionet më të mëdha të fotografisë, Trierenberg Super Circuit, i cili mbahet në Linz të Austrisë.
Mesazhi që Adriani përcolli për të gjithë artistët e rinj është:
“Fokusohuni në një kategori të cilën përgjatë viteve mund ta perfeksiononi. Nëse nuk jeni të vendosur se çfarë ju pëlqen, besoj se si fillim natyra mund të jetë një inspirim që mund ta shfrytezojnë të gjithë. Vendosni synimet tuaja, por, qëndroni fleksibël pasiqë jeta nganjëherë është e paparashikueshme dhe synimet tuaja mund të ndryshojnë. Çfarëdo që bëni, mundohuni ta jepni maksimumin. Pa pasur parasysh se çfarë ndodh, vendosni të qëndroni të lumtur dhe pozitiv.” përmbylli Adrian Limani.
Ajo që i bën të veçanta fotografitë e Adrianit, sipas tij, janë idetë, mesazhi dhe mënyra e përpunimit. Ai çdoherë mundohet të jetë unik, kreativ dhe të japë mesazhe pozitive për njerëzit. Pandemia bëri që shumë gjëra të pezullohen. Mirëpo, tani që ka filluar të rihapet bota, Adriani do të punojë në disa ekspozita personale dhe do të vazhdojë të marrë pjesë në gara të ndryshme ndërkombëtare.