Fondacioni “Sunny Hill” ndan 150 mijë euro për shkollat e muzikës në Kosovë
Fondacioni “Sunny Hill” i këngëtares Dua Lipa ka ndarë një fond prej 150 mijë eurosh për projektin “Sunny Hill Foundation Music & Art Center”, me të cilin do të ringjallet Qendra Kulturore për të rinjtë në Prishtinë.
Qendra Kulturore për të rinjtë do të duhej të funksionojë vitin e ardhshëm, ndërsa projekti mbështetet nga Komuna e Prishtinës, u tha në konferencën e përbashkët për media nga Fondacioni “Sunny Hill” (Sunny Hill Foundation) i cili fillon sonte në Prishtinë. Në konferencë mori pjesë edhe themeluesja e Fondacionit “Sunny Hill”, Dua Lipa, këngëtarja shqiptare me famë në mbarë botën, fituese e çmimeve Grammy dhe Brit Awards.
Në emër të Fondacionit “Sunny Hill”, Dua Lipa nënshkroi një marrëveshje me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti për dhënien me qira të hapësirës për Qendrën Kulturore. Me këtë rast, Lipa theksoi se ëndrra e saj e madhe që nga fëmijëria ishte që fëmijët dhe të rinjtë të kenë një vend për të treguar talentin e tyre.
“Në radhë të parë, faleminderit të gjithëve që erdhët sot dhe për gjithë mbështetjen që na jepni dhe për të bërë të mundur festivalin në Prishtinë dhe fondacionin tonë, të provojmë të përpiqemi të bëjmë diçka pak më ndryshe në Prishtinë, por edhe për tërë Kosovën”, tha Dua Lipa.
Babai i Dua Lipës, Dukagjin Lipa, tha se ky projekt nuk do të ishte i mundur pa Dua-n. Ai tha se 100 mijë euro janë tubuar gjatë koncerteve të Dua Lipës në Prishtinë dhe Tiranë në vitin 2017, dhe se paratë janë dhënë për qëllime humanitare dhe kanë për qëllim disa festivale alternative dhe shkolla muzikore ndërsa vitin e kaluar Festivali “Sunny Hill” mblodhi 150 mijë euro të cilat këtë vit do t’i dorëzohen Fondacionit.
“Qëllimi i Fondacionit që në fillim ishte që të ketë një hapësirë që do t’i shërbejë rinisë së Kosovës, shqiptarëve, në një mënyrë që ngadalë të kthejmë frymën artistike që kërkojnë dhe dëshirojnë fëmijët e Prishtinës dhe të Kosovës, ashtu si dikur”, tha Dukagjin Lipa.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Ahmeti, tha se është kënaqësi të nënshkruajë një marrëveshje për krijimin e një Qendre Kulturore për të rinjtë. “Unë si kryetar i komunës, gjithmonë i falënderoj ata që promovojnë qytetin tonë. Unë thashë që Dua mund të jetë ambasadorja më e mirë e Prishtinës dhe Kosovës sot në botë”, tha Ahmeti.