Shqipëri

FMN: Shqipëria, një nga më të varfrat në Europë, njësoj me Irakun

Shqipëria vazhdon të mbetet një prej vendeve më të varfra të Europës, e dëshmuar edhe nga statistikat e fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar të përditësuara në “Pasqyrën Ekonomike Globale tetor 2019” e të cituara nga revista Monitor.

Shifrat e FMN-së tregojnë se të ardhurat e pritshme për frymë të shqiptarëve ishin 5,732 dollarë për vitin 2019, duke na pozicionuar në vendin e 102 në botë nga 192 shtete gjithsej, në nivele të ngjashme me Irakun, Paraguajin, Libanin, Libinë etj.

Në Europë jemi ndër vendet me të ardhurat për frymë më të ulëtat dhe pas nesh në renditje vjen vetëm Kosova me 4,442 dollarë për frymë e pozicionuar në vendin e 111 dhe shtete të ish Bashkimit Sovjetik si Ukraina që renditet e 125-ta dhe Moldavia në vendin e 128.

Nga shtetet e rajonit, më të pasur janë fqinjët e Malit të Zi që radhitet i 78-ti në listë, me të ardhura për frymë prej 8,703 dollarë, ose 62% më të larta se të shqiptarëve. Pas tij vjen Serbia, në vend të 87, Maqedonia e Veriut ne vendin e 95-të e Bosnja në vendin e 97-të.

Të dhënat e FMN-së, sipas të njëjtës revistë, referojnë se edhe një dekadë më parë, Shqipëria ishte e pandryshuar në vend të 102, në një tregues që rritja ekonomike e vendit nuk ka arritur të jetë më e lartë se e fqinjëve, apo se ajo nuk ka prodhuar mirëqenie për qytetarët e saj sipas të ashtuquajturit proces i konvergjencës, ku vendet me të ardhura më të ulëta duhet të rriten më shpejt, në mënyrë që të kapin mesataren e Bashkimit Europian.

Sot, vendet e Bashkimit Europian kanë të ardhura mesatare për frymë në vit prej 35.8 mijë dollarë, ose gati 7 herë më të larta sesa të shqiptarëve, sipas shifrave të FMN. /TCh