Lajme

Fjalimi emocional dhe mes lotësh i Jakup Krasniqit duke e mbrojtur UÇK-në: Nuk kemi qenë kurrë ndërmarrje kriminale

Ish zëdhënësi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi ka dalë sot për herë të parë para Gjykatës Speciale. Ai në prezantimin e tij të parë dha një deklaratë emocionale ku nën lotësh e mbrojti luftën e pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pjesë nga fjalimi i tij:

Në aktakuzë po na quani ndërmarrje kriminale të përbashkët, unë deklaroj sot se kurrë në jetën në asnjë rast të vetëm nuk i kam trajtuar njerëzit sikur më trajtuat ju nga arrestimi deri këtu.

Jam intelektual, jam njëri që politikisht e kam luftuar Serbinë. Kurrë nuk e kam drejtuar gishtin nga civilët. Ju po përpiqeni të na ndani në mysliman e katolik, unë jam shqiptar.

Cilësimi i prokurorit se ne qenkemi ndërmarrje kriminale e përbashkët, për mua dhe shokët e mi që luftuam gjatë për kombin tonë, nuk ka asgjë më fyese.

Jetë e vdekje jemi vu në shërbim të çlirimit. Ja kemi arrit që bashkë me SHBA-të, me BE-në të jemi ndërmarrje e përbashkët çlirimtare dhe shtet formuese, ndërsa ndërmarrje e përbashkët kriminale, janë jo vetëm serbët, por është këmbë e krye vetëm koka e saj në Beograd.

Besoj dhe besoj shumë që këtë e din secili qytetar i arsimuar që së bashku është mbi 30 vjet e që jeton në vendet e demokracisë, aty ku janë rritur e edukuar me vlerat e kësaj botë që veçohen me vlerat që kanë të bëjnë me të drejtat dhe liritë e njeriut.

Kam qenë i dënuar nga regjimet e Serbisë në vitet ‘81. Ata me kanë dënuar që kam lexuar libra. Më shumë të drejtë kanë pas ata atëherë se sa ju sot këtu.