Lajme

Fillon ndërtimi i Xhamisë Qendrore në Prishtinë, Myftiu Tërrnava uron gjithë besimtarët

Pas një rrugëtimi të gjatë e sfidues prej tetë vitesh, sot filluan punimet e ndërtimit të Xhamisë Qendrore në Prishtinë, xhami kjo e shumëpritur nga qytetarët besimtarë, shkruan Kosova Post.

Fillimin e punimeve të shtëpisë së Zotit në Prishtinë, i përcjelli nga afër vetë Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërrnava, i cili fillimisht falënderoi Zotin dhe shtoi lutjen që Xhamia të përfundojë sa më shpejtë.

Me këtë rast, Myftiu Tërrnava ka uruar të gjithë besimtarët për fillimin e ndërtimit të xhamisë, të shumë pritur dhe të nevojshme për besimtarët.

I pari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Tërrnava, është shprehur tejet i lumtur derisa shihte nga afër punimet në këtë vend tashmë të shenjtë, ndërsa ka falënderuar të gjitha ata që kontribuuan në jetësimin e planit dhe ndërtimin e xhamisë, duke filluar nga qytetarët besimtarë, BIK, Dijaneti i Turqisë dhe Komunën e Prishtinës.

“Të nderuar dhe të respektuar besimtarë në mërgatë e kudo që jeni, më lejoni që sot nga ky vend tashmë i shenjtë t’iu uroj fillimin e punimeve në ndërtimin e xhamisë qendrore këtu në Prishtinë, ta lus Zotin xh. sh. që të na falë shëndet dhe mirqenie, që në një kohë sa më të shkurtër të përfundojnë punimet në ndërtimin e kësaj bukurosheje të Prishtinës’, është shprehur Myftiu Tërrnava.

Tutje Myftiu Tërrnava falënderoi të gjithë ata që ndihmuan në jetësimin e projektit të xhamisë, të bukuroshes së Prishtinës siç e quajti ai..

“Falenderoj Dujanietin e Turqisë, falënderoj Komunën e Prishtinës, Kryesinë e Bashkësisë Islame, organin mbikëqyrës dhe të gjithë ata të cilët dhanë kontribut jashtëzakonisht të madh në këtë rrugëtim të gjatë, por do i lëm të gjitha ndodhitë prapa dhe do të ecim para në ndërtimin e kësaj shtëpie të Zotit”, tha Tërrnava, shkruan Kosova Post.