Fillojnë punimet për vendosjen e gypit kryesor nga bunaret në fsh. Zhunicë deri te Rezervuari i qytetit
Komuna Preshevës njofoton se kanë filluar punimet në terren, për vendosjen e gypit kryesor nga bunaret në fsh. Zhunicë deri te Rezervuari i qytetit tek Kroni i keq.
Ky projekt konsiston në zëvendësimin e gypit të azbestit që aktualisht është në funksion, me gyp plastik që i përmbushë kushtet dhe standardet teknike.
Përveç cilësisë së ujit, me vendosjen e gypit të ri do të mundësohet furnizim i rregullt dhe me presionin e nevojshëm të ujit që vie nga stacioni i pompimit në Zhunicë, në drejtim të rezervuarit të qytetit.
Realizimi i këtij projekti është rezultat i një pune intensive tre-katër vjeçare të Drejtorateve të Administratës komunale dhe asistencës së ofruar nga përfaqësuesit e organizatës UNOPS, ku përfshihen procedura të ndryshme administrative, teknike dhe byrokratike, si ato të sigurimit të dokumentacionit të nevojshëm teknik, kushteve teknike dhe pëlqimeve nga ndërmarrjet publike, shpalljes së interesit publik, realizimit të procedurave të eksproprijimit, hartimin dhe aprovimin e projektit urbanistik, si dhe sigurimin e lejes së ndërtimit, poashtu edhe një pune intensive për sigurimin e mjeteve financiare për realizimin e këtij projekti.
Me realizimin e këtij projekti do të përfundohet faza e parë e ndërhyrjes në sistemit të ujësjellësit të qytetit, gjithçka sipas Master planit të furnizimit me ujë të komunës së Preshevës, pasi tashmë është bërë rigjenerimi i bunareve, ndërtimi i rezervuarit të ri, rehabilitimi i rezervuarit ekzistues, si dhe vendosja e pajisjeve automatike në stacionin e pompimit të ujit në fsh. Zhunicë, që të gjitha këto intervenime së bashku, do të mundësojnë furnizim cilësor me ujë të pijshëm të pjesës së poshtme të qytetit, në përputhje me Master planin për furnizim me ujë të komunës së Preshevës.
Projekti implementohet në bashkëpunim me organizatën ndërkombëtare UNOPS, kurse financohet nga Ambasada e Mbretërisë Norvegjeze të akredituar në Beograd dhe mjetet e komunës së Preshevës.