Të fundit

Fillojnë punimet në rregullimin dhe përmirësimin e stadiumit të vogël të qytetit

Kanë filluar punimet në rregullimin dhe përmirësimin e hapsirave në stadiumin e vogël të qytetit, gjegjësisht të fushës së futbollit të vogël dhe asaj të basketbollit.

Në kuadër të projektit, kjo pjesë e stadiumit do të kompletohet si një terren kompleks sportiv, me tërë infrastrukturën përcjellëse, duke trajtuar çdo cep të hapësirës.

Përveç komponenteve të deritanishme, ky kompleks sportiv do të pajiset dhe me palestrën e hapur (jashtë në natyrë) për fitnes në ambient të hapur.

Poashtu, në kuadër të kompleksit do të instalohet edhe fusha e volejbollit, si dhe për herë të parë edhe fusha e tenisit, si sport risi për të rinjtë e komunës sonë.

Ditë më parë, të rinjtë tanë, në kuadër të projektit “Let’s color Presheva – T’a ngjyrosim Preshevën” të organizuar nga Zyra për të rinj, kanë trajtuar ulëset në pjesën e fushës së basketbollit, në vijim do të përfshihet edhe pjesa e fushës së futbollit të vogël, duke i ndërruar ulëset e vjetra me të reja, poashtu duke i dhënë një pamje krejtësisht të re, përmes ngjyrave të ndryshme, të ngjyrosura nga të rinjtë tanë sipas dëshirave të tyre.

Punimet do të trajtojnë të gjitha detajet dhe çdo cep të kompleksit, ku do të rritet gama e aktiviteteve sportive, si dhe do të avancohet në një standard më të lartë.

Pas përfundimit të fushave sportive, punimet do të realizohen edhe në rregullimin dhe përmirësimin e rrethojave, si dhe pasurimin e hapsirave përreth me drunj dekorativ.

Me realizimin e këtij projekti, të rinjët e komunës sonë do të kenë ambiente sportive komplet të reja dhe me standarde më të larta, që aktivitetet e tyre sportive t’i zhvillojnë edhe më komod dhe në këtë mënyrë të zhvillojnë një jetë më të rregullt dhe më të shëndetshme.