Bota

Fillojnë bisedimet e paqes Rusi-Ukrainë

Bisedimet e pakushtëzuara të paqes ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë filluan të hënën, 5 ditë pasi Moska filloi një luftë kundër fqinjit të saj perëndimor.

Delegacioni i Ukrainës mbërriti të hënën në mëngjes në Gomel të Bjellorusisë, rajon që kufizohet me të dyja palët në konflikt.

Në ditën e 5-të të sulmeve ruse që nisën më 24 shkurt, e gjithë vëmendja botërore është kthyer nga negociatat mes delegacioneve ruse dhe ukrainase.

Agjenda e takimit ndërmjet delegacioneve ruse dhe ukrainase në kufirin Ukrainë-Bjellorusi është përfundimi i sulmeve ruse dhe një armëpushim emergjent.

Agjencia ruse e lajmeve “Interfax” citoi një negociator rus të ketë thënë se vendi i tij është i gatshëm të arrijë një marrëveshje me Ukrainën sa më shpejt të jetë e mundur.

“Çdo marrëveshje do të jetë në interesin e të dyja palëve”, ka theksuar ai, gjithnjë sipas agjencisë ruse.

Ukraina kërkon një armëpushim dhe largimin e menjëhershëm të trupave ruse nga territori i saj.

“Ne ramë dakord që delegacioni ukrainas të takohet me delegacionin rus në një qytet në bregun e lumit Pripjat, në kufirin midis Ukrainës dhe Bjellorusisë, pa parakushte”, tha Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, përmes një deklarate nga rrjetet sociale.