Filipçe-Zemaj: Vendimi për kufijtë javën e ardhshme
Javën e ardhshme do të vendoset për hapjen e kufijve pa kushte ndërmjet vendeve të rajonit. Ky është konstatimi i ministrave të Shëndetësisë së Kosovës dhe Maqedonisë, të cilët u takuan sot në Shkup.
Ministri Venko Filipçe dhe homologu i tij nga Kosova, Armend Zemaj deklaruan se heqja e PCR testit negativ, do të zëvendësohet me njërin nga tre opsionet tjera për lëvizje të lirë të qytetarëve.
“Ekzistojnë më shumë opsione, një prej tyre janë testet ultra të shpejta për 15 minuta. Megjithatë, ne vlerësojmë se kemi situatë të ngjashme epidemiologjike. Kufijtë e mbyllur nga njëra anë ose PCR testet nga ana tjetër në disa situata nuk janë siguri e mjaftueshme. Duhet të diskutojmë edhe për modele të tjera, andaj deri në fillim të javës së ardhshme pas punës intensive të grupeve punuese do të njoftojmë se çfarë qëndrimi do të marrim”, tha Venko Filipçe
Në opsion janë edhe testet me antitrupa në gjak apo edhe vetëm respektimi i protokolleve mjekësore me maska dhe distancë.
Gjatë kësaj jave dhe javës tjetër do të kemi raportime të detajuara për situatën epidemiologjike, kështu që do të kalojmë edhe në nivel qeveritar të vendimmarrjes për lëvizjen e lirë edhe në rajon, por edhe mes dy vendeve. Pjesa tjetër ndërlidhet në aspektin profesional të kërkesës për testime, qoftë ato molekulare apo serologjike. Por, insistimi ynë është që me përmirësimin e situatës ta lehtësojmë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave”, u shpreh Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë së Kosovës.
Takimi i mbajtur “on-line” para dy javësh ndërmjet gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimorë dhe Greqisë e Bullgarisë, ka intensifikuar aktivitetet e grupeve të punës për të arritur një ujdi rajonale për lëvizje të lirë të qytetarëve në kushte të pandemisë.
Jo zyrtarisht, takimi i radhës “on-line” do të bëhet të mërkurën dhe nëse nuk arrihet një marrëveshje me gjithë rajonin, do të bëhet protokolli dy palësh ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë për lëvizje të lirë pa PCR test negativ./Alsat/