Opinione

Fati është ngushëllim i njerëzve pa guxim

Shpat Komoni

Njerëzit i kemi dëgjuar shpesh duke thënë “i mjeri ky/ajo çfarë fati të keq ka”, ose “shumë i pafat jam”, etj. Dua të ju them që fati nuk ekziston, fati është ngushëllim i njerëzve pa guxim, pa-motiv, i njerëzve shkurt-pamës.

Shpesh ne dimë ta kufizojmë veten ose të na kufizojnë të tjerët! Ne mund ta kufizojmë veten ashtu siç pretendon Stephen Hawking për vrimat e zeza, ku graviteti është aq i fortë sa edhe drita nuk mund të shpëtoj, e cila ka shpejtësinë treqind-mijë kilometra në orë. Hipoteza vazhdon për vrimat e zeza ku thuhet që krijohet një trysni e madhe, ku çfarëdo trupi qiellor që hyn në të, ai gllabërohet pavarësisht shpejtësisë apo gjendjes së tij. Kështu edhe truri mund të veproj si një vrimë e zezë, ku pavarësisht informatave apo këshillave që merr, truri i mbyllur i tretë.

Por se si mund të na kufizojnë mendjen të tjerët dhe t’i nënshtrohemi fatit, më së miri na ilustron historia e elefantëve. Elefantët kur janë të vegjël lidhen për këmbe me një litar të vogël, mjaftueshëm që ata në atë moshë mos ta këpusin, por kur rriten pavarësisht forcës së madhe që kanë, ata vazhdojnë të mendojnë që nuk mund ta këpusin litarin dhe e lënë veten në mëshirë të fatit!

Nëna e Al Pacinos e mbështeti djalin e saj deri në momentin kur e lodhi sëmundja dhe e këshilloj të bëhet më praktik dhe që ta lë aktrimin sepse aktrimi thoshte është për të pasurit, por ai u inatos dhe vazhdoj ta ndjekë ëndrren e tij. Kurse Albert Einstein thoshte: “U jam mirënjohës të gjithë atyre që më thanë ‘JO’, sepse falë tyre ja dola mbanë vetë!”

Andaj, sfido fatin e elefantit, mos jeto në amulli. Fati është mungesa e guximit! Merre guximin të provosh, të provosh e të provosh derisa të arrish objektivat tuaja. Aktori i madh amerikan Morgan Freeman thotë: “Guximi është çelësi i gjithçkaje në jetë”.

Ironia e fatit është tek ‘Lojërat e fatit’ ku ato ‘thirren në fat’, por a mund të kesh fat dhe të fitosh lojën pa biletë?