Escobar qëndron sot në Beograd
“Çështje javësh dhe jo vitesh”, e ka konsideruar i dërguari i posaçëm i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë.
Escobar mbrëmë tha se Kosova dhe Serbia janë afër arritjes së një marrëveshjeje, duke theksuar se ka dëgjuar nga kolegët evropianë se bëhet fjalë për “çështje javësh dhe jo vitesh”.
Escobar tha se bëhet fjalë për “një marrëveshje për rrugën përpara”.
“Prandaj, përtej kësaj u përket të dyja palëve dhe ndërmjetësuesit që të vendosin afate kohore, por duhet të jetë e shpejtë. Duke pasur parasysh kontekstin e asaj që po ndodh, të gjithë duhet të ngrihen dhe të marrin përgjegjësi për të krijuar stabilitet, jo vetëm në Evropë, por edhe në rajon. Ne do të donim ta shihnim Kosovën që të rreshtohet më shumë sa u përket çështjeve të stabilitetit rajonal dhe kjo është mënyra se si mund ta bëjnë”, tha ai në Kanal 10.
Duke folur mbi propozimin e Francës dhe Gjermanisë, që thuhet se u kanë dorëzuar liderëve të Kosovës dhe Serbisë, për arritjen e një marrëveshjeje, Escobar tha se SHBA-ja mbështet këtë propozim dhe çfarëdo që shtetet evropiane sugjerojnë përmes dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke porositur Kosovën dhe Serbinë që të marrin seriozisht propozimin.
“Ne mendojmë, sikurse na është shpjeguar, se ky propozim do të nënkuptonte angazhim dhe integrim më të afërt të Kosovës, dhe potencialisht të Serbisë, në integrimet euroatlantike”, tha Escobar.