Erdogani pritet të rizgjidhet President i Turqisë
Turqit kanë votuar në zgjedhjet më të rëndësishme në historinë e tyre moderne, me rezultatet e para që tregojnë se presidenti Rexhep Tajip Erdogan, do të mbetet në krye të Turqisë edhe për një mandat.
Sipas të dhënave të para preliminare, një orë pas mbylljes së qendrave të votimit prej rreth 20 për qind të votave të numëruara, Erdogani ka fituar rreth 56 për qind të votave të numëruara. Rivali i tij më i madh opozitar Kemal Kilicdaroglu ka marrë vetëm rreth 37 për qind të përkrahjes së votuesve turq. Të dhënat janë bazuar në anketimet e agjencisë turke të lajmeve, Anadollu.
Kilicdaroglu kishte premtuar se do ta dobësonte rolin e presidentit, të cilin e ka forcuar shumë Erdogani pas grusht-shtetit të dështuar të vitit 2016.
Dy çështje kanë shqetësuar 64 milionë votuesit në Turqi më shumë se gjithçka tjetër: ngritja e inflacionit dhe dy tërmetet e fuqishme. Inflacioni ka arritur në 44 për qind, por shumë ekspertë besojnë se është edhe më i lartë.
Kilicdaroglu kishte premtuar se do t’ia kthente Turqisë demokracinë, teksa qeveria me rrënjë islamike e Erdoganit ka akuzuar Perëndimin për përpjekjet për ta rrëzuar nga pushteti.
Gara ka qenë e ashpër në ditët e fundit dhe votuesit dolën nëpër qendrat e votimet edhe para se të hapeshin.
Turqit gjithashtu kanë votuar për parlament dhe 600 deputetë. Ani pse ata kanë humbur pushtetin karshi presidentit që prej vitit 2018, kontrolli i parlamentit mbetet kyç për miratimin e ligjeve.
Për të fituar, kandidatëve u duhet të fitojnë më shumë se gjysmën e votave.
Nëse asnjëri nuk fiton zyrtarisht së paku 50 për qind plus një votë në rundin e parë, gara presidenciale do të shkojë në balotazhin që mbahet më 28 maj.
Bordi Suprem i Zgjedhjeve në Turqi ka shfuqizuar ndalesën për transmetimin e rezultateve të zgjedhjeve dy orë pas mbylljes së qendrave të votimit/koha