Bota

Erdogan: Kudsi-vija e kuqe e muslimanëve, nuk do të lejojmë të kërcënohet paqja

Turqia kurrë nuk do të lejojë që paqja në rajon të prishet nga i ashtuquajturi plani i paqes për Lindjen e Mesme, tha presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Komentet e presidentit turk erdhën në një deklaratë të cilën ai i dërgoi Konferencës së 3-të të Platformës Ndërparlamentare të Kudsit që po mbahet në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur.

“Kudsi, vija e kuqe”

Erdoğan tha se Izraeli ka arritur padrejtësisht dhe në mënyrë të paligjshme kufijtë e tij të tanishëm, ndërsa Palestina është përballur me okupim, shkatërrim dhe vuajtje për vite me rradhë.

Ai tha se Turqia “kurrë nuk do të heshtë përballë aneksimit të Kudsit ose të braktisë vëllezërit e saj palestinezë në këtë luftë”.

“Dua të theksoj edhe një herë që Kudsi është vija jonë e kuqe. Si vende muslimane, përgjegjësia jonë më e rëndësishme në këtë proces është të mbrojmë Xhaminë Al-Aksa, të përqafojmë simbolin e paqes Kudsin dhe të mbrojmë të drejtat e palestinezëve”, ka deklaruar Erdoğan në mesazhin e tij.

“Politika e ndjekur nga disa vende islame kundër këtij hapi, që është fillimi i një procesi që do të prekë gjithë botën, veçanërisht Lindjen e Mesme, ka krijuar një pamje të trishtueshme”, ka reaguar Erdoğan.