Lajme

Eksperti amerikan “shuplakë” liderëve të Kosovës për korrupsionin, tregon si u pasuruan ata

Profesori dhe eksperti amerikan për politikën dhe çështjet e Ballkanit në Universitetin e Nju Jorkut, Alon Ben-Meir, ka kritikuar sërish krerët shtetërorë të Kosovës për korrupsionin.

Ai ka thënë se Kosova është një nga vendet më të korruptuara në Ballkan, i ranguar në vendin e 85-të global.

Ben-Meir ka thënë se udhëheqësit politikë të Kosovës, janë bërë jashtëzakonisht të pasur, qysh prej shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Kosova është një nga vendet më të korruptuara në Ballkan, i ranguar në vendin e 85-të global. Që kur shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, Kosova ka ofruar mundësi të mëdha për udhëheqësit e saj politikë, të cilët u bënë jashtëzakonisht të pasur”, ka deklaruar eksperti amerikan.

Alon Ben-Meir, ishte treguar edhe më herët kritik ndaj ministrit të Jashtëm të Kosovës Behgjet Pacolli, të cilin e kishte akuzuar për korrupsion dhe dështim, duke thënë se ai dhe krerët tjerë, për 20 vjet ndërtuan hotele dhe fituan tenderë publikë.

“Është shumë e vërtetë që ju keni popullatën më të re në Evropë. Por unë kam një pyetje për ju Z. Pacolli, çfarë keni bërë ju për vendin tuaj gjatë dy dekadave të kaluara që keni qenë në pushtet? Ju keni ndërtuar hotele dhe keni fituar tendera publike, ndërsa sot 20 vjet pas luftës, qindra mijëra po largohen nga Kosova, sepse ju dhe udhëheqësit e tjerë dështuat, korruptuat deri në eshtra”, kishte shkruar Ben-Meir, në një postim në Facebook.