Ekskluzive, flet preshevari, Betim Fazliji: Faleminderit Zvicër për gjithçka, por nuk mund ta refuzoj shtëpinë time Kosovën – jam këtu për evropian
Është përcjellë gjatë dhe më në fund është grumbulluar nga Kosova.
Fjala është për mbrojtësin qendror, Betim Fazliji i cili ka shkëlqyer me St Gallenin në Superligën e Zvicrës në dy vitet e fundit.
Betimi është me prejardhje nga fshati Miratocë, komuna e Preshevës, por që gjashtë muaj pasi kishte lindur ai me familjen e tij kishin marrë rrugë për në Zvicër.
Për Fazlijin vlen thënia e ‘Dardanëve’, ‘I lindur në luftë, më i fortë se frika’, pasi djaloshi lindi më 25 prill të vitit 1999, kur Serbia dhe Kosova ishin në luftë dhe gjashtë muaj më vonë ai dhe pjesa tjetër e familjes iu bashkuan babait të tij në Zvicër.
Në një intervistë ekskluzive për Telegrafin, ai tregon kontaktet e para që pati me Kosovën si dhe momentin që pranoi ftesën.
“Ka gjashtë apo shtatë muaj që kam pasur kontakt me trajnerin Bernard Challandes dhe menagjerin Bajram Shala. Pastaj jemi takuar me trajnerin në Zurich ku kemi biseduar dhe përgjigja ime menjëherë ka qenë po”.
“Prej fillimit zemra ime ka rrahur për Kosovën, gjithmonë kam dashur të luaj për vendin tim dhe tani është momenti perfekt për të luajtur”.
“Kam planifikuar më herët të vijë, por për shkak të pandemisë e kam pasur të pamundur”, ka deklaruar Fazliji për Telegrafin.
Ai tregon se ka përkrahjen e prindërve, familjes së gjerë dhe shoqërisë për të luajtur për Dardanët.
“Sigurisht që prindërit më kanë shtyrë shumë, ashtu edhe pjesa tjetër e familjes dhe shoqëria”, vazhdon tutje Fazliji për Telegrafin.
21-vjeçari thotë se është ndarë mirë me Zvicrën dhe e falënderon shtetin helvetik për gjithçka që ka bërë për të.
“Jemi ndarë mirë me Zvicrën, sepse unë kam vendos për vendin tim dhe për karrierën time. Zvicrës i them faleminderit për gjithçka pasi ktu kam filluar dhe kam arritur gjithçka, por Kosova është shtëpia ime dhe do të luaj për ta”, vazhdoi tutje Fazliji.
Djaloshin e ka përkrahur edhe klubi i tij St Gallen për vendimin e marrë që të luaj për Dardanët.
“Klubi më ka thënë që janë pas meje për cilëndo Kombëtare që të vendosi dhe të gjithë më kanë uruar për Kosovën”, thotë tutje mbrojtësi qendror.
Betimi i ka parë thuajse të gjitha ndeshjet e Kosovës dhe ai deklaron se Dardanët kanë një skuadër të mirë.
“Po, i kamë parë thuiajse çdo ndeshje. Kosova luan futboll modern dhe ka aty futbollistë teper të mirë. Pres që së bashku me shokët e Kombëtares ta arrijmë kampionatin evropian në të ardhmen dhe shumë fitore”, tha Fazliji.
Përfaqësuesja e Kosovës në nëntor do të luaj ndeshje miqësore me Shqipërinë, pastaj do të përballet me Slloveninë dhe Maltën.
“Dëshira ime është që të debutoj menjëherë në ndeshjen e parë, por aty është trajneri ai që vendos”, vazhdoi tutje talenti kosovar.
21-vjeçari ka luajtur në disa pozita te St Gallen, ndërsa thotë se më mirë ndihet si qendërmbrojtës dhe mesfushor defensivë/qendror.
“Më së miri ndihem në qendër të mbrojtjes, para mbrojtjes dhe si mesfushor qendror, edhe pse në të kaluarën kam luajtur edhe në pozita të tjera”.
“Për mua është pozitive fakti që luaj çdo ndeshje që dy vite. Jam hala në fazën ku zhvillohem dhe duhet të vazhdoj kështu që të bëhem çdo ditë e më i mirë”, përfundoi Fazliji.