E përditshmja gjermane Süddeutsche Zeitung: Trump ktheu Hotin dhe Vuçiçin kundër BE
Presidenti i SHBA-së Donald Trump, duke lidhur Kosovën dhe Lindjen e Mesme, abuzoi me dy konflikte, të cilat janë të komplikuara dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin e Kosovës Avdullah Hoti i ktheu për qëllimet e veta kundër politikës së BE-së ndaj Lindjes së Mesme, shkruajnë mediat gjermane.
Në një koment të titulluar “Serbia dhe Kosova lëvizin ambasadat – Fituesi i samitit ballkanik të Trump quhet Izrael”, “Tagesanzeiger” zviceran kujton se shumica dërmuese e vendeve kanë misionet e tyre diplomatike në Tel Aviv, pasi ata nuk duan të njohin Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit.
Duke kujtuar se Shtetet e Bashkuara e zhvendosën ambasadën në Jerusalem nën administrimin e Trump në vitin 2018, gazeta shkruan se shembulli i tyre “deri më tani është ndjekur vetëm nga Guatemala, dhe Serbia dhe Kosova po bëhen numrat tre dhe katër”.
Sa i përket Kosovës, e përditshmja zvicerane kujton se ajo me vite është përpjekur të fitojë njohje nga Izraeli, gjë që autoritetet izraelite refuzuan, duke iu referuar marrëdhënieve të mira me Serbinë.
“Sidoqoftë, Izraeli ndoshta kishte frikë se duke njohur Kosovën, do të krijonte një precedent të cilit vendet e tjera mund t’i referoheshin kur njohin Palestinën”, shkruan “Tagesanzeiger”, transmeton KP.
E përditshmja gjermane “Süddeutsche Zeitung” shkruan se Donald Trump, me përfshirjen e marrëveshjes ekonomike Kosovë-Serbi dhe aspektin e Lindjes së Mesme, i bëri një shërbim qeverisë izraelite dhe u kthye në qendër të fushatës zgjedhore.
“Ai përdori dy politikanë ballkanas, të cilët duan të sjellin vendet e tyre në Bashkimin Evropian, për nevojat e tyre dhe i udhëhoqi ata të minojnë politikën e BE në Lindjen e Mesme. Mekanizmat që mund të funksionojnë në botën e biznesit mund të jenë të rrezikshëm në politikë”, shkruan e përditshmja e Munihut.