E dyshuar për terrorizëm, arrestohet mërgimtarja shqiptare në Itali
Bëhet e ditur se një 19 vjeçare me origjinë nga Kosova është arrestuar nga policia italiane në Milano.
Mediat italiane kanë raportuar se e arrestuara është B.T, dhe e njëjta pas arrestimit nën dyshimin për terrorizëm është transferuar në burg.
Arrestimi i saj ka ndodhur pas hetimeve nga Prokuroria e Milanos, me urdhër të lëshuar nga Gjykata atje.
Siç raporton media “La Stampa”, 19 vjeçarja ishte e martuar me 21 vjeçarin K.F i cili në janarin e vitit të kaluar gjatë një sulmi terrorist në Vjenë, kishte vrarë katër persona dhe plagosi 23 të tjerë, deri në momentin kur policia austriake shtiu drejt tij, duke e lënë të vdekur.
“Gruaja, është radikalizuar që në moshën 16-vjeçare, dhe njihej si një përkrahëse e zjarrtë e Shtetit Islamik. Kohët e fundit ishte shpërngulur nga Kosova në Milano, me vëllain e saj, ndërkohë që ishte në kontakt të vazhdueshëm me burrin e saj”, shkruan La Stampa.it.
Nuk dihet ende roli që ka pasur 19-vjeçarja në organizatën terroriste dhe cilët janë bashkëpunëtorët e saj të mundshëm.