LajmeShqipëri

Dosja “Babale”, Prokuroria kërkon burg për ish deputetin Salianji

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg, i konvertuar në shërbim prove 3 vjet, për ish deputeti demokrat Ervin Salianji. Ai është pjesë e dosjes hetimore të njohur ndryshe si Babalja.

Po ashtu organi i akuzës ka kërkuar dënimi me 1 vit burgim për gazetarin Jetmir Olldashi, ndërsa për Albert Veliun (protagonist i videos) është kërkuar dënim me 3 vite e 6 muaj burgim. Për ish deputetin Ervin Salianjin, pezullimi i dënimit u kërkua vetëm nga prokurori Genci Qana, jo nga prokurori tjetër Kolë Hyseni

Fredi Alizoti, i cili dyshohet se ka bërë zërin e vëllait të ish ministrit të Brendshëm, nga prokuroria është kërkuar 3 vite burg. Fillimisht ishte Partia Demokratike ajo që bëri publike bisedën që sipas saj ishte zhvilluar mes Albert Veliut (i quajtur Bashkëpunëtori X) dhe Agron Xhafës, vëllait të ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Teksti i bisedës linte të kuptonte për një marrëveshje për trasnportin e një sasie marijuane drejt Italisë. Më pas ishte vetë Albert Veliu që u shfaq në një intervistë ku pranonte se kishte takuar Agron Xhafaj dhe se kish biseduar me të, e se madje ky i fundit dhe e kish ndihmuar, për transportin e drogës. Deklarimet e Veliut megjithatë ishin kontradiktore, dhe këto kontradikta u shtuan më tej pasi gazetari Jetmir Olldashi, doli publikisht duke shpjeguar se kish qenë ai që i kishte vënë përgjuesin Veliut, pasi po kryente një hetim gazetaresk mbi rrjetet e trafikut të marijuanës në Vlorë.

E gjithë historia u shoqërua me polemika të forta, kërkesa të opozitës për dorëheqjen e ministrit, dhe akuza se kishte marrë në mbrojtje të vëllanë i cili kishte qenë i arrestuar në vitin 2002 në Itali, dhe më pas i dënuar për pjesmarrje në një organizatë kriminale e cila merrej me trafikun e drogës. Agron Xhafaj, deklaroi se nuk kishte bërë asnjë bisedë me Veliun, ndërsa shkoi në Itali për të vuajtur dënimin.

Hetimet e zhvilluar nga Prokuroria duket se kanë zbuluar një tjetër skenar. Ajo dyshon se gjithçka ka qenë një inskenim mes Veliut dhe një personi tjetër, Fredi Alizoti. Ky i fundit dyshohet që të ketë luajtur “rolin” e vëllait të ministrit në bisedat e regjistruara. / Opinion.al