LajmeShqipëri

Doris Pack thirrje BE-së dhe OSBE-së: Rama kryen veprime prej diktatori, ndaloni ligjin kriminal për mediat!

Ish-eurodeputetja Doris Pack ka kërkuar nga BE dhe OSBE që të ndërhyjnë për të ndaluar votimin në parlament të ligjit të qeverisë që censuron median dhe lirinë e shprehjes, transmeton Standard.

Pack e quan ligjin kriminal, ndërsa shton se kryeministri Edi Rama kryen veprime prej diktatori.

“BE, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, OSBE duhet të ndalojnë votimin e ligjit kriminal për mediat në Shqipëri. Media e Lirë është shtylla e vetme e qëndrueshme e demokracisë që mund të ndalojë Ramën dhe veprimet e tij diktatoriale. Pse nuk po veprojnë këto institucione?”, është postimi në Twitter i Doris Pack.

Lidhur me çështjen, reagoi edhe David Lega, anëtar i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian. Ai paralajmëroi se nëse paketa ligjore e qeverisë kalon në parlament, Shqipëria rrezikon kryesimin e OSBE-së, që mori para pak ditësh si edhe ecurinë në procesin e integrimit në familjen evropiane.

Paketa ligjore ka hasur kundërshti nga gazetarët, opozita, OSBE, organizata të medias në vend, por edhe të huaja, ndërsa Komisioni i Ligjeve e ka miratuar këtë të hënë në parim. Paketa pritet të kalojë për votim në parlament në seancën e 19 dhjetorit.