“Donim bashkimin me Shqipërinë”, Haradinaj: Kishim presion ndërkombëtar, donin të na përçanin
Duke folur për pavarësinë e Kosovës, Ramush Haradinaj u shpreh në “Tempora” se në kohën e luftës nuk e mendonin pavarësinë. Sipas tij, në atë kohë UÇK kërkonte bashkimin me Shqipërinë, por ishte presioni ndërkombëtarë ai që detyroi të pranonin çlirimin e Kosovës në kufijtë aktualë.
Haradinaj: Në atë kohë mendonim vetëm largimin e armikut nga territori i Kosovës. Në fillim donim bashkimin e shqiptarëve, ka qenë vizion i të gjithëve. Me kalimin e kohës jemi detyruar të pranonim çlirimin e Kosovës në kufijtë që kishte. Ne kemi pasur presion të madh pas vitit 1999 nga OKB. Ata kanë bërë përpjekje për mbylljen e gjendjes së Kosovës. Për shkak të Rezolutës 1244 ne e kemi pësuar. Ka qenë një tendencë e bashkësisë ndërkombëtare e asaj kohe për t`i përçarë shqiptarët. Marrëveshje që kemi bërë me Presidentin Rugova në 2004, ajo i prishi ato matematika shumë. Në atë kohë isha i “padisiplinuar”, nuk pranoja korniza. Korniza e OKB ishte e papranueshme në atë kohë. Gjatë këtij kundërshtimi ne donim të tregonim vizionin tonë.