Bota

Donald Trump: Irani po luan me zjarrin

Presidenti i SHBA’ve, Donald Trump, deklaroi se Irani po luan me zjarrin pasi që Teherani njoftoi se ka tejkaluar kufizimin e uraniumit të pasuruar me marrëveshjen bërthamore të 2015’së.


Dje në mbrëmje presidenti amerikan ishte më i përmbajtur se zakonisht kur u pyet rreth njoftimit nga Teherani, ai tha se “nuk kam porosi për Iranin, ata e dinë se çfarë bëjnë…mendoj se po luajnë me zjarrin”.

Shtëpia e Bardhë në Washington, reagoi më herët se presidenti amerikan ndaj vendimeve të Iranit, duke deklaruar se “SHBA’të dhe aleatët e saj asnjëherë nuk do të lejojnë që Irani të zhvillojë armë bërthamore”.

Dje agjencia e lajmeve iraniane Fars njoftoi se Irani kishte tejkaluar kufizimet e vendosura të uraniumit të pasuruar, duke shkelur kështu për herë të parë marrëveshjen e nënshkruar mes Iranit dhe 6 fuqive botërore. Nga kjo marrëveshje SHBA’të janë larguar më 2018 njëanshëm dhe rikthyen sanksionet ndaj Iranit.

Po ashtu edhe Agjencia Ndërkombëtare për Energji Atomike e kishte konfirmuar se Irani ka tejkaluar kufizimet.

Irani kishte kërcënuar se me 7 korrik do të rrisë prodhimtarinë e uraniumit të pasuruar në nivele të afërta të zhvillimit të armëve bërthamore, nëse nënshkruesit e mbetur të marrëveshjes nuk intervenojnë tek amerikanët për të hequr sanksionet.

Tensionet mes SHBA’ve dhe Iranit gati sa nuk eskaluan në konflikt të armatosur kur Irani rrëzoi fluturaken dron të SHBA’ve mbi ngushticën e Hormuzit në Gjirin Persik muajin e kaluar.