Lajme

Doli nga shtypi libri “Shqiptarësia e Luginës së Preshevës ndër shekuj”

Në ditën e parë të shkollës Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve me seli në Shkup, ka publikuar monografinë për Luginën e Preshevës të titulluar “Shqiptarësia e Luginës së Preshevës ndër shekuj” nga autori preshevar Ilir Zylfiu.

“Me këtë monografi mjaft domethënëse për të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e Luginës së Preshevës, Instituti jonë po e shtrin kujdesin edhe në këtë trevë të margjinalizuar të kombit tonë.” thuhet mes tjerash në njoftimin e publikuar në facebook nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve.

Përveç Institutit që ka botuar monografinë për Luginën e Preshevës ndër vite,për publikimin e librit “Shqiptarësia e Luginës së Preshevës ndër shekuj” ka njoftuar edhe vetë autori përmes llogarisë së tij në facebook, përmes të cilit ka falënderuar edhe Institutin që mbështeti botimin e këtij libri.

Libri “Shqiptarësia e Luginës së Preshevës ndër shekuj” nga autori preshevar Ilir Zylfiu, është një studim që trajton Luginën e Preshevës si tërësi në rrafsh shumë dimensioal, i karakterit historiko-politik, e që përfshinë periudhën prej antikës e deri në ditët e sotme. Mund të theksohet që një studim i tillë ka munguar deri më tani.

Përndryshe, Ilir A. Zylfiu është Doktor Shkence në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci që nga viti 2015, kur edhe përfundoi studimet e doktoraturës në Universitetin e Tiranës, Institutin për Studime Evropiane.

Dr.Sc. Ilir Zylfiu ka marrë pjesë me kumtesa në disa supoziume dhe konferenca vendore dhe rajonale, si dhe ka të botuar punime profesionale – shkencore në revista kombëtare e ndërkombëtare nga fusha e historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.