Lajme

Dokument: Ramush Haradinaj ndan edhe 32 milionë euro të tjera për Bechtel&Enka

Konzorciumi “Bechte&Enka” pritet të marrë edhe 32 milionë euro tjera nga buxheti i shtetit të Kosovës.

32 milionë e 200 mijë euro pritet t’i kushtojnë Kosovës dy kyçje për në autostradën Arbën Xhaferi dhe një mbikalim.

Kyçjet janë paraparë të ndërtohen në fshatin Gërlicë të Vitisë dhe një në Ferizaj si dhe mbikalimi në fshatin Paldenicë të Hanit të Elezit.

Vendimi për të ia dhënë të drejtën e ndërtimit të këtyre dy kyçjeve vetëm konzorciumit “Bechtel&Enka”, duke përjashtuar kështu mundësinë e një gare tenderimi, ishte marrë fillimisht në maj të këtij viti nga Qeveria e Kosovës.

Më 28 maj të këtij viti, në mbledhjen e Qeverisë me propozim të Ministrit të Infrastrukturës Pal Lekaj, kabineti qeveritar kishte miratuar vendimin për të zgjatur kontratën për ndërtimin e autostradës “Arbën Xhaferi deri më 1 dhjetor 2020.

Vendimi për të ia dhënë edhe disa miliona euro “Bechtel&Enka” ishte marrë në Qeveri vetëm një ditë para se të hapej zyrtarisht autostrada “Arbën Xhaferi”.

Në po këtë mbledhje ishte marrë vendimi edhe për ndërtimin e kyçjeve dhe mbiklaimit si dhe ishte obliguar Ministria e Infrastrukturës që t’i nis negociatat me “Bechtel&Enkan”.

“Aprovohet propozimi për ndërtimin e kyçjeve Ferizaj Viti dhe mbikalimin në Paldenicë. Autorizohet dhe obligohet Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit të negocioj me konsorciumin Bechtel&Enka për ndërtimin e kyçjeve dhe të mbikalimit”, thuhet në vendimin e Qeverisë.

Tashmë, kërkesa për sigurim të mjeteve i ka shkuar Ministrisë së Financave nga Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit.

Kjo kërkesa, sipas Ministrisë së Financave është bërë me kërkesat buxhetore që Ministria e drejtuar nga Pal Lekaj i AAK-së i’a ka bërë për vitin 2020.

“Ministria e Infrastrukturës me kërkesa buxhetore për vitin 2020 ka paraqitur kërkesën në shumë prej 32,200,000 € në emër të realizimit të projektit (ndërtimin e kyçjeve nga Ferizaj dhe Vitia në autostradën “Arbën Xhaferi” dhe mbikalimin në Paldenicë ), pjesë e projektit Autostrada Prishtinë – Hani i Elezit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Financave për Gazetën Jeta në Kosovë.