Djali i Trumpit publikon intervistën me Vuçiqin, përmendet edhe Kosova
Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan, Donald Trump ka publikuar mëngjesin e sotëm një intervistë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, të cilën e ka bërë së fundmi gjatë një vizite në Beograd, në të cilën Vuçiq ka folur për pozicionin e Serbisë në Evropë, bombardimet e NATO-s në vitin 1999, protestat që po zhvillohen në vend dhe për Kosovën.
Trump Jr në fillim të intervistës ka thurur lëvdata për presidentin serb duke e quajtur “djalë të shkëlqyer”.
Në episodin hapës të podcast-it të tij “Triggered” të publikuar në rrjetin Rumble, Donald Trump Jr tha se vizita në Serbi ishte një përvojë “që të hapë sytë”. Ai e përshkroi Serbinë si vend që ka përqafuar tregun e lirë, duke mbështetur zgjedhjen e Donald Trump në SHBA dhe vlerat e lëvizjes së Trump-it “Make America Great Again”, dhe duke përqafuar sensin e përbashkët, ligjin dhe rendin dhe një identitet të përbashkët kombëtar, raporton Danas.
Duke folur për protestat, Trump deklaroi se “më duket se tragjedia në Novi Sad u keqpërdor si sulmi ndaj Kapitolit të SHBA-së më 6 janar 2021” dhe se ajo u paraqit si diçka që nuk ishte, me synimin për të krijuar potencialisht një revolucion.
Vuçiq tha se aksidenti në Novi Sad është shfrytëzuar në mënyrë të pabesueshme. Ai tha se në Serbi po ndodh e njëjta gjë si në SHBA, se të gjitha organizatat joqeveritare janë kundër tij ashtu siç janë kundër Donald Trumpit në SHBA. Vuçiq tha gjithashtu se organizatat joqeveritare në Serbi kanë qenë gjithmonë në anën anarko-liberale në të gjitha krizat politike.