Magazina

Divorci më i shtrenjtë në botë që kap shifrën prej 35 miliardë dollarë

Njeriu më i pasur në botë, Jeff Bezos, dhe bashkëshortja e tij MacKenzie kanë rënë dakord për një marrëveshje rekord divorci që kap shifrat e të paktën 35 miliardë dollarëve.

MacKenzie do të ruajë pjesën e saj të aksioneve prej 4 për qind në gjigantin “online” të shitjeve me pakicë, “Amazon”, të themeluar prej bashkëshortit të saj, ndërkohë që do t’i duhet të heqë dorë nga interesat e saj në gazetën “Washington Post” dhe firmën e udhëtimeve në hapësirë të Bezosit, “Blue Origin”.

Marrëveshja e fundit lë pas atë prej 3.8 miliardë dollarësh të vendosur mes Alec Wildenstein, një i apasionuar pas veprave të artit, dhe bashkëshortes së tij, Jocelyn.

Bezos e bëri publik njoftimin përmes një “cicërime” në “Twitter”, të parën dhe të vetmen që kur iu bashkua rrjetit social këtë muaj, ku thekson se ndihej “mirënjohëse që ka përfunduar procesin e zgjidhjes së martesës me Jeffin, me mbështetjen e secilit prej tyre”.

Përpara marrëveshjes, Bezos kishte 16.3 për qind të aksioneve në “Amazon”. Ai do të ruajë 75% të kontrollit të kësaj pakete aksionesh, me 25% që do t’ia kalojë bashkëshortes, ndërkohë që kjo e fundit i ka transferuar të gjitha të drejtat e votës tek ish-bashkëshorti i saj.

Çifti në fjalë, prindër të 4 fëmijëve, ka qenë bashkë që përpara se Bezos të themelonte “Amazon” në vitin 1994, ndërsa MacKenzie ishte një ndër pjesëtarët e parë të stafit të firmës “online”.

“Amazon” është një rrjet biznesesh shitjeje me pakicë “online”, që vetëm vitin e kaluar gjeneroi shitje prej 232.8 miliardë dollarësh, ndërkohë që familjen e Bezosit e ka ndihmuar të sigurojë një pasuri prej 131 miliardë dollarësh, sipas revistës amerikane “Forbes”.