Lajme

Diplomati nga Lugina me vlersime të larta në diplomacinë shqiptare

Ish gazetari dhe tashmë diplomati Valon Gashi nga Bujanoci, rikthehet rishtazi në Ambasadën e Shqipërisë në Zvicër. Është kështu në vitin e tretë të shërbimit të tij në selinë diplomatike të Shqipërisë në Bernë. Zoti Gashi rikthen, në këtë mënyrë, mundësinë e përfaqësimit dhe të kontribuimit për bashkimin dhe ndihmesën e emigracionit dhe diasporës së Luginës në qytetet e ndryshme të Zvicrës.

Është ky një rast historik për përfaqësimin e kapaciteteve dhe intelektualëve të Luginës në institucionet diplomatike të shtetit shqiptar. Në këtë kuptim, rasti i zotit Gashi, do të vendoset në epiqendër të memories përsa i përket integrimit të shqiptarëve të Luginës në jetën e diplomacisë zyrtare të shtetit mbi 110 vjeçar të Shqipërisë. Një traditë kjo e ndërprerë qysh prej viteve ’40-të.

Valon Gashi ka kryer një udhëtim të gjatë studimesh dhe kualifikimesh në universitete të Tiranës dhe mediat kombëtare të Shqipërisë. Ai ka spikatur për kulturën dhe normën e lartë etike të raportimit dhe komunikimit publik. Përfshirja e tij në fushën e diplomacisë u mundësua nga ish ministri i Jashtëm i Shqipërisë, zoti Genti Caka dhe u rikonfirmua nga ministrija aktuale e Jashtme, zonja Olta Xhaçka.

Tek diplimati Gashi spikat dashuria dhe përkushtimi për vendlindjen.
Zotëria diplomat është person i dashur për gjithë luginasit që jetojnë në Shqipëri e kryesisht në Tiranë. Tek ai kanë gjetur dhe gjejnë mbështetjen dhe përkrahjen e fuqishme ish studentët dhe studentët e Luginës, punonjës të ndryshëm, biznesmenë dhe vizitorë nga trojet në Tiranë.

Me kontaktet dhe komunikimet e veta, me aktivitetin në përbërje të organizatave të ndryshme të diplomatëve dhe gazetarëve, zoti Gashi, përherë mbetet një zë kujtese dhe interesimi për Luginën, pozitën e shqiptarëve në Serbi dhe kujtesën institucionale për problemet e shqiptarëve në troje.

Rikthimi i diplomatit Gashi në Bernë, do të bëjë të mundur që shumë shqiptarë, nxënës, mësues, studentë, artistë dhe bashkëluginas, të kenë një pikë të re kontakti dhe ndihmese, duke e konsideruar atë, si një person që përfaqëson kujdesin shtetëror të Shqipërisë për çdokënd prej nesh.