Lajme

‘Dialogu me Kosovën kyç për pranimin e Serbisë në BE’

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Serbi, Sem Fabrizi, tha se dialogu midis Serbisë dhe Kosovës është një element kyç për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

“Rundi i fundit i dialogut mund të ketë qenë më i vështiri nga të vështirët. Të dyja palët duhet t’i përkushtohen atij. Dialogu është një element kyç për stabilitetin rajonal dhe pranimin e Serbisë në BE. Ka interes të madh që dialogu të ketë sukses dhe BE-ja po bën të pamundurën për këtë”, tha Fabrizi për Radio-Televizionin e Serbisë.

Rundi i fundit i bisedimeve midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, u zhvillua më 19 korrik në Bruksel.

Palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë të vullnetit që procesi të ecë përpara.

Megjithatë, ato u pajtuan që t’i vazhdojnë bisedimet në shtator.

Fabrizi tha se kushtet që Brukseli ia ka vënë Serbisë për anëtarësim në BE, janë konstante dhe nuk ndryshojnë.

“Dihet se për çfarë bëhet fjalë – dialogu me Prishtinën, sundimi i ligjit, reformat ekonomike, prokurimi publik, subvencionet, ndihma shtetërore janë gjëra për të cilat duhet të punohet”, tha Fabrizi.

Serbia ka hapur disa kapituj të negociatave për anëtarësim në BE.

Nga vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor, negociatat e anëtarësimit i ka hapur edhe Mali i Zi.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mbeten në pritje të nisjes së këtyre negociatave, ndërsa Kosova dhe Bosnje e Hercegovina kanë vetëm marrëveshje stabilizim asociimi me BE-në – që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.