Bota

Dhoma e Përfaqësuesve e kalon shkarkimin historik të Trumpit

Numër i mjaftueshëm i ligjvënësve në Dhomën e Përfaqësuesve kanë votuar të mërkurën për shkarkimin e presidentit, Donald Trump, nga detyra. Me këtë, Trumpi është bërë presidenti i vetëm që shkarkohet dy herë nga kjo Dhomë, në gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ai është përballur me një akuzë të vetme për “nxitje të kryengritjes”, shkaku i rolit të tij në nxitjen e bastisjes së përgjakshme në Capitol, javën e kaluar.

Ndonëse votimi ende po vazhdon, është qartazi e pamundur që shkarkimi historik të shpjerë drejt largimit të Trumpit nga detyra para përfundimit të mandatit të tij katërvjeçar dhe betimit të presidentit të zgjedhur, Joe Biden, më 19 janar. Kjo pasi që lideri i shumicës në Senat, Mitch McConnelli, ka refuzuar që ta thërrasë mbledhjen e kësaj Dhome, që aktualisht është në pushim, duke e pamundësuar fillimin e gjykimit për rastin në Senat para 19 janarit.

Asnjë president amerikan nuk është larguar deri më tani nga detyra nëpërmjet procesit të shkarkimit. Tre të tillë – Trumpi më 2019, Bill Clintoni më 1998 dhe Andrew Johnsoni më 1868 – ishin shkarkuar nga Dhoma por shfajësuar më pas nga Senati.