Lajme

“Der Standard”: Kryeministri shqiptar paralajmëron Shqipërinë e Madhe

Gazeta austriake “Der Standard”, në një shkrim të radhës kushtuar Kosovës dhe vendeve të Ballkanit perëndimor, shkruan se kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ai i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë pro ndryshimit të kufijve.

Në shkrimin me titull “Kryeministri shqiptar paralajmëron Shqipërinë e Madhe”, gazeta shkruan se kryeministri i Kosovës ka porositur se BE-ja duhet të refuzojë “çdo rivendosje të kufijve aktualë të Kosovës, ndarjen e Kosovës apo shkëmbimin e territorit”.

“Shkëmbimi i territorit do të sigurojë që Kosova veriore t’i jepet Serbisë dhe Lugina e Preshevës Kosovës. Deri në vitin 2018 një shkëmbim i tillë ishte përjashtuar gjithmonë nga BE-ja. Por që nga viti i kaluar, përfaqësuesja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe komisioneri i BE-së, Johannes Hahn kanë pësuar një ndryshim në këtë drejtim. Tani ata po mbështesin një shkëmbim të tillë të territorit, që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës”, shkruan gazeta.

“Der Standard” shkruan se kryeministri Edi Rama ka larguar nga qeveria ministrin e Jashtëm të Shqipërisë, Ditmir Bushati, për shkak të kundërshtimit të tij për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi.

“Për këtë Rama ka dashur të emërojë në vend të tij një 26-vjeçar, kosovarin Gent Cakaj, emërimi i të cilit u parandalua nga Presidenti Ilir Meta. Zyrtarisht tani Rama ka emëruar vetveten në postin e ministrit të Jashtëm, por të gjitha kompetencat ia ka deleguar zëvendësit të tij”, shkruan gazeta.

Eksperti i Evropës Juglindore, Florian Bieber nga Universiteti i Gracit thotë se zëvendësimi i Bushatit ishte i befasishëm dhe i çuditshëm, pasi ai respektohej nga ndërkombëtarët që e shihnin si një antipod për të balancuar natyrën e papërshtatshme shpërthyese të Ramës, transmeton KosovaPress.

“Megjithatë, disa diplomatë thonë se shkëmbimi i territoreve mes Kosovës dhe Serbisë duket një përfundim i pashmangshëm, edhe pse kundërshtohet nga shumica e partive dhe nga shoqëria civile në Kosovë”, shkruan tutje Der Standard.

Duke cituar ish-ministrin e Jashtëm serb Vuk Jeremiq, gazeta shkruan se njeriu kyç i Trumpit po punon për ndarjen e Kosovës.

“Sipas ish-ministrit të Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, kryestrategu i fushatës zgjedhore të Donald Trumpit, Corey Lewandowski, është lobisti që po bën fushatë për ndarjen e Kosovës. Në adresën e Lewandowskit në Washington është regjistruar firma ‘Twin Rocks Global’, që ka një kontratë me partinë serbo-nacionaliste, SNSD, që ka synuar ndarjen dhe me këtë rast shkatërrimin e Bosnje-Hercegovinës”, shkruan në fund gazeta austriake.