Deputeti gjerman: Në Shqipëri po bëhet luftë për pushtet
Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Gjerman, Manuel Sarrazin, (Të Gjelbrit) mendon se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave. Ai flet për përgjimet e publikuara nga Bild si dhe për përfshirjen e Vangjush Dakos në komunikme me botën e krimit.
Manuel Sarrazin: Ajo thjesht e tha këtë duke informuar për planin kohor dhe tha se beson se votimi do të bëhet në shtator/tetor, sepse ekziston ende nevojë koordinimi brenda grupit të saj parlamentar. Por ajo vetë nuk u shpreh as pozitivisht e as negativisht dhe nuk tha se cili do të jetë rezultati i këtij procesi votimi.
Pikërisht ato ditë gazeta “Bild” publikoi audio-përgjimet për shitblerjen e votave në zgjedhjet e 2017-ës, a mendoni se ky publikim do të ndikojë negativisht në vendimmarrjen për çeljen e negociatave?
Jo,nuk besoj se luan ndonjë rol te deputetët e informuar. Këto regjistrime nuk janë të reja. Ky debat ka kohë që është shfaqur në tablonë e politikës së brendshme të Shqipërisë. Natyrisht që këto akuza kishin mbërritur deri te ne. Por unë deri tani nuk kam qenë në gjendje të verifikoj, se a përputhen ato me realitetin. Veç kësaj, unë mendoj se raporti në gazetën “Bild” nuk të jep përshtypjen se është marrë si duhet me verifikimin e të dhënave. Gjithashtu unë u çudita shumë se përse pikërisht në këtë moment kur do të merren vendimet në qeverinë federale dhe në parlamentin gjerman, gazeta “Bild” shkon e boton këtë raportim kaq të njëanshëm. Dhe kjo të lë përshtypjen se ka patur një funksion politik.
Kjo pyetje është shtruar edhe në Shqipëri, por askush nuk e vë në dyshim që përgjimet janë të vërteta, sepse ato vijnë nga prokuroria.
Pyetja që shtrohet këtu është sesa i njëkuptimtë është konteksti, në të cilin janë vendosur ato. Unë nuk e shoh të njëkuptimtë. Por natyrisht që ne i marrim seriozisht akuzat dhe jemi të mendimit se pyetjet se a ka pasur blerje votash duhen sqaruar dhe këtë ua themi edhe partnerëve tanë në qeverinë shqiptare. Por përfundimi në të cilin arrin opozita shqiptare, sipas mendimit tim, nuk është aq i padiskutueshëm, së paku, nuk është provuar ende. Por nuk është detyra ime si deputet i parlamentit federal gjerman që ta konstatoj këtë. Kjo është detyrë e organeve shqiptare.
Por organet shqiptare, pra, prokuroria kanë qenë dy vjet në dijeni të këtyre audio-përgjimeve, dhe shumë vonë reagoi e megjithatë po punon me hapa tepër të ngadaltë. Edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë tha në një intervistë me DW se ai nuk ka ndikim mbi prokurorinë. Si i bëhet atëherë, kur prokuroria i vonon hetimet?
Si deputet gjerman unë nuk mund të them më shumë se kaq. Siç e dini, ne në kuadër të procesit të integrimit në BE, parashtrojmë edhe kërkesat tona ndaj qeverisë shqiptare ndaj funksionimit të gjyqësorit, organizimit të prokurorisë, ndërtimi i njësive speciale antikorrupsion, por unë si deputet nuk mund t’i jap udhëzime prokurorisë së Shqipërisë. Ne sigurisht që dëshirojmë që organet shqiptare të vijojnë me zbardhjen e çështjes dhe kjo të merret seriozisht. Nëse rezulton se ka pasur shitblerje votash, atëherë duhet të mbahet përgjegjësi. Por dëshiroj të them edhe diçka tjetër se çështja e shitblerjes së votave nuk është një fenomen vetëm shqiptar, ajo vihet re në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Unë nuk kam përshtypjen se shitblerja e votave është bërë në atë masë sa të ketë influencuar raportet shumicë-pakicë në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, nuk besoj se kjo e justifikon bojkotimin e parlamentit apo vë në pikëpyetje ligjshmërinë e parlamentit shqiptar. Natyrisht, se akuzat duhet të merren seriozisht dhe të zbardhen.
Kryebashkiaku i Durrësit nuk e ka fshehur që ka pasur kontakte me këta persona të krimit. A ju duket normale juve, si politikan, që të keni kontakte edhe me qytetarë të lidhur me krimin e organizuar?
Këtë unë nuk e kam dëgjuar. Por Durrësi është një qytet port, dhe ka një pozitë të veçantë. Edhe unë vij nga një qytet port. Si kryebashkiak i Hamburgut unë nuk do ta quaja normal komunikimin me anëtarë të krimit të organizuar. Por nuk mund të jap një gjykim përfundimtar për rrethanat në të cilat bëhet politika vendore në Shqipëri. Unë për vete nuk kam kontakte me krimin e organizuar dhe përpiqem që të mos kem kontakte aspak me persona, që janë vërtetuar se janë të lidhur me krimin.
Shqipëria tani është duke shkuar në zgjedhje lokale pa pjesëmarrjen e opozitës. A ndikon ky fakt negativisht ne vendimin e deputetëve?
Gjithmonë është keq për demokracinë në një vend kur opozita dhe qeveria nuk bien dakord për gjërat themelore dhe kur opozita bojkoton zgjedhjet. Por unë nuk besoj se akuzat e opozitës e justifikojnë bojkotimin e parlamentit dhe mospjesëmarrjen në zgjedhje. Përshtypja ime është se aty po zhvillohet një lufte e fortë për pushtet mes Ramës dhe Bashës dhe kjo lufte ne këtë gjendje nuk është e aspak e favorshme për vendimin qe duhet te marrin deputetët ne Bundestag. Por, megjithatë, grupet parlamentare Te Gjelbrit, socialdemokratët, liberalët dhe E Majta janë për çeljen e negociatave, pavarësisht se kush do ta fitojë ketë betejë për pushtet, zoti Rama apo zoti Basha. Ne mendojmë se Shqipëria i ka përmbushur kushtet.