Delegacioni nga Presheva: te ftuar nga Kryetari Keshillit te Qarkut te Tiranes Aldrin Dalipi
Me ftesë të Kryetarit të Këshillit të Bashkisë së Tiranës dhe njëherit edhe Kryetar i Këshillit të Qarkut të Tiranës, Aldrin Dalipi, një delegacion i komunës së Preshevës i udhëhequr nga Kryetari i Kuvendit Sami Salihu, në përbërje të të cilit ishin edhe Sekretari i Kuvendit Avni Aliti, drejtori i Fondit për punë komunale, banesore dhe ndërtimore, Xhelal Hasani dhe ndihmës kryetari Përprarim Arifi, kanë qëndruar dje për vizitë në Tiranë.
Në këtë takim, palët u dakorduan që të thellohet bashkëpunimi në fushën e administrimit lokal dhe zhvillimit ekonomik duke premtuar që një staf prej 5 anëtarve punonjës të administratës të trajnohen për hulumtimin dhe përpilimin e projekteve.
Po ashtu, në këtë vizitë me rastin e ditës ndërkombtare të Pyjeve, në shenjë simbolike delegacioni nga Presheva ishin prezent në mbjelljen e disa fidaneve në pyllin Orbital në Tiranë.
Në vazhdën e kësaj vizite përfaqësuesit nga Komuna e Preshevës, u takuan edhe me drejtorin e Universitetit Europian të Tiranës, Henri Çilin, ku vlen të theksohet ndarja e 10 bursave “Ismail Kadare” për bachelor dhe master në Shkencat Humane për studentët e komunës së Preshevës, si dhe ndarjen e 200 librave donacion për Bibliotekën “Mehmet Jusufi” në Preshevë.