Lajme

Deklarata e Osmanit dhe Hazirit për Luginën, në Serbi thuhet se po “gatuhet diçka”

Deklaratat e krerëve të LDK-së, konkretisht Lutfi Hazirit dhe Vjosa Osmanit për çështjen e Luginës, ka nxitur reagime në Beograd.

“Nesër i jep 17 fshatra të Leposaviqit e Zubin Potokut për Luginën, por jo pjesën tjetër të veriut”, theksoi Haziri ndërsa Osmani, përmes një shkrimi në Facebook, kishte thënë se Serbia është duke kryer spastrim të heshtur etnik ndaj shqiptarëve në Medvegjë, Preshevë dhe Bujanoc.

Osmani u shpreh se autoritetet serbe, në katër vjetët e fundit, kanë pasivizuar adresat nga regjistri civil të mbi 4,000 shqiptarëve të Medvegjës, transmeton Indeksonline

Drejtori i Qendrës për Rajonalizëm në Serbi, Aleksandar Popov deklaroi se deklaratat e Hazirit shihen si nxitje e re për temën e shkëmbimit të territoreve. Megjithatë, ai theksoi se kjo ide është e papranueshme për Serbinë.

“Isa Mustafa dhe Lutfi Haziri, ndryshe nga Albin Kurti, nuk janë kokëfortë dhe e kanë kuptuar që nuk është e mundur të shkosh në kundërshtim me SHBA-në”, ka thënë ai për gazetë serbe, Blic.

“Duhet të kihet parasysh se ekzistojnë vetëm 400 shqiptarë në Medvegjë, 60 % në Bujanoc dhe 80 % në Preshevë, ndërsa në veri të Kosovës është pothuajse 99 % serbë. Poashtu, me dorëzimin e Medvegjës, Bujanocit dhe Preshevës, Serbia do të dorëzonte kororin 10 dhe hekurudhën”, theksoi Popov.

Nga ana tjetër, Dushan Janjic nga Forumi për Marrëdhënie Etnike nënvizoi se Haziri nuk është një politikan i madh shqiptar.

“Si kryetar i Komunës së Gjilanit, i cili është afër Preshevës dhe Bujanocit, ai është afër idesë së shkëmbimit të pjesëve të veriut të Kosovës me luginën e Preshevës. Sidoqoftë, problemi është kriteri i demarkacionit. Nëse kjo bëhet sipas parimit etnik, ekziston frika në BE se ajo do të rrezikojë sigurinë në të gjithë Ballkanin”, shpjegon Janjiç.

Siç thotë ai, nuk është e pamundur të ndodhë një demarkacion.

“Nëse të gjitha palët bien dakord së bashku me SHBA dhe BE, atëherë kjo është e mundur. Tani për tani, nuk ka asnjë marrëveshje në Kosovë apo Serbi. Deklaratat e fundit e Hazirit dhe Vjosa Osmani tregon se diçka po gatuhet në Kosovë, edhe pse aktualisht nuk ka negociata”.