Daçiq: Na mashtruan gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit
Ai ka thënë se mesazhi i Serbisë është i qartë: Nuk ka lëshime rreth Kosovës, si dhe nuk ka vendosje të sanksioneve ndaj Federatës Ruse. Ky është qëndrimi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare i marrë që në fillim të konfliktit në Ukrainë.
„Mendoj se presidenti e ka thënë qartë se nuk do të ketë asnjë bisedë të mëtejshme derisa të ndalet arrestimi dhe dëbimi i njerëzve tanë, ndalimi i tyre për të punuar në pjesët tjera të Serbisë”, ka deklaruar Daçiqi në një intervistë dhënë televizionit publik serb në shërbim të Vuçiqit, dhe ka vazhduar me propagandën tashmë të njohur të tyre duke pretenduar se „qëllimi i regjimit të Prishtinës është të pastrojë hapësirën e Kosovës nga serbët“.
Njëkohësisht, ai ka thënë se “komuniteti ndërkombëtar është fajtori më i madh”, duke iu referuar vendeve perëndimore dhe duke theksuar se ato nuk janë miq të Serbisë.
„Ata janë fajtori kryesor, sepse e kanë lënë gjithë botën të varet nga vullneti i mirë i Kurtit, nëse do të sillet në përputhje me marrëveshjet e arritura apo jo. Tolerancë ky, jo më ndaj separatizmit, sepse ai është i qartë, por ndaj terrorizmit“, ka thënë ai.
Ky ministër, i cili si kryeministër i atëhershëm i Serbisë në pranverën e vitit 2014 kishte nënshkruar Marrëveshjen e Parë të Brukselit bashkë me Thaçin, tani pretendon se ajo ishte një mashtrim ndërkombëtar.
„Ky ishte një mashtrim sepse nuk na u prezantua ashtu kur e nënshkruam Marrëveshjen e Brukselit. Ne hymë me mirëbesim në këto marrëveshje vetëm për të arritur kompromis që do të ishte në interes të të gjithëve në Kosovë. Në fund, Serbia i ka përmbushur të gjitha, ndërsa, siç u shpreh ai, “pala e Prishtinës” që nga fillimi ka bojkotuar gjithçka me mbështetje të hapur nga disa vende“.
Daçiq ka thënë se shumë persona që marrin pjesë në, siç e quan ai, “ndjekjen e serbëve në Kosovë”, nuk janë të kapshëm për organet serbe.
„Por ne mbajmë evidencë dhe ata, herët a vonë, do të bien në juridiksionin tonë. Nuk është më çështje e separatizmit, por e terrorizmit dhe presioneve. Ne hymë në negociata me qëllim të mirë për të arritur një kompromis që do të ishte në interes të të gjithëve në Kosovë. Por derisa nuk ndalen arrestimet dhe dëbimet e njerëzve tanë, nuk ka vazhdim dialogu. Mesazhi i presidentit të Serbisë është se nuk ka lëshime për Kosovën“, ka pretenduar Daçiqi.
Ai ka shtuar se ata që arrestuan zëvendësin e Petkoviqit, Igor Popoviqin, nuk janë të arritshëm për autoritetet serbe, por Serbia „mban një evidencë të rregullt“.