LajmeTë fundit

Dacic: Asociacioni, kërkesa jonë më e rëndësishme strategjike në dialog

Asociacioni i komunave serbe është kërkesa më e rëndësishme strategjike në kuadër të dialogut ndërmjet Kosovës e Serbisë sipas ministrit të jashtëm të Serbisë Ivica Dacic, transmeton Ministria Lajmeve.

“Kjo është kërkesa jonë më e rëndësishme dhe strategjike në kuadër të dialogut prej të cilës kurrë nuk kemi hequr dorë. Kjo, për fat të keq, është edhe e vetmja pikë nga Marrëveshja e Brukselit e cila me meritën e Prishtinës edhe sot nuk është plotësuar. Dhe gjithnjë deri sa të mos zbatohet në terren, nuk mund të konsiderojmë se kemi ndonjë marrëveshje apo zgjidhje”, ka thënë Dacic në një intervistë për gazetën serbe “Blic”.

Dacic e ka vlerësuar Marrëveshjen e Brukselit si “marrëveshje me të cilën Serbia është kthyer në lojë kur është fjala për Kosovën”, ndërsa “në kohën e Tadicit e Jeremicit ka qenë histori e përfunduar”. Sipas tij, “sot pa Serbinë nuk ka zgjidhje për Kosovën dhe se nuk ka asnjë takim me këtë temë ku Serbia të mos marrëpjesë e të mos pyetet”.

Në pyetjen rreth deklaratës së ministrit të punëve të jashtme të Kosovës Begjet Pacolli se do t’i sjellë në Prishtinë shefat e shtetetve të cilat thuhet se e kanë tërhequr njohjen e Kosovës dhe ta demantojnë këtë, Dacic ka thënë se “Pacolli mund ta sjellë këdo në Prishtinë, por nuk mund ta demantojë faktin se 13 shtete e kanë tërhequr njohjen e Kosovës”.