Lajme

Costa: Trajtimi i shqiptarëve të Luginës luan rol në anëtarësimin e Serbisë në BE

Bashkimi Evropian po e ndjek çështjen e trajtimit të shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe pret nga Serbia që të jetë në përputhje me standardet ndërkombëtare sa i përket asaj, ka thënë presidenti i Këshillit të Evropës, Antonio Costa.

Në një përgjigje ndaj deputetit shqiptar në Parlamentin serb, Shaip Kamberi, Costa ka shtuar se çështja e pakicave në Serbi luan rol në procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

“Të jeni të sigurt se BE-ja po e ndjek trajtimin e pakicave kombëtare, përfshirë komunitetin shqiptar në Serbi. Kjo është e rëndësishme sa i përket angazhimeve të Serbisë në procesin e anëtarësimit të saj në BE. Serbia pritet që të bashkërendojë kornizën ligjore në përputhje me të drejtat e pakicave sipas standardeve ndërkombëtare dhe evropiane”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Costas, publikuar nga vet Kamberi

Sa i përket çështjes së pasivizimit të adresave, Costa ka thënë se BE-ja do të vazhdojë t’i nxisë autoritetet serbe që të ofrojnë sqarime të qarta për publikun mbi mënyrën se si kryehen kontrollet për statusin e vendbanimit.