Çka po ndodhë me Ballkanin?: Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia në protesta për rrëzim të qeverive
Mijëra njerëz marshojnë në Beograd, ndërsa protestat zhvillohen gjithashtu në Shqipëri dhe Malin e Zi.
Protestuesit hynë në ndërtesën e televizionit shtetëror të Serbisë për herë të parë në pothuajse 20 vjet dhe policia shqiptare përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë një turmë që u përpoq të hynte në parlament, në një ditë demonstratash anti-qeveritare në të gjithë Ballkanin, shkruan European Western Balkans .
Në Beograd, demonstruesit hynë në radio-televizionin shtetëror të Serbisë (RTS), duke kërkuar të flasin drejtpërdrejtë me audiencën.
Ka patur protesta të përjavshme të opozitës që nga dhjetori kundër presidentit serb Aleksandër Vuçiç, duke kërkuar lirinë e medias si kusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kanalet televizive shtetërore i kanë dhënë mbulim të pakët protestave.
“Gjatë muajve të fundit ne kemi kërkuar vetëm një gjë – të lejojmë organizatorët e protestave të flasin në televizionin shtetëror”, tha Boško Obradoviq, lideri i partisë së djathtë Dveri.
Disa mijëra protestues hynë në korridoret e ndërtesës duke bërë thirrje kundra Vuçiç. Policia hyri më vonë në ndërtesë dhe filloi të merrte demonstruesit një nga një.
Demonstruesit anti-qeveritarë sulmuan për herë të fundit ndërtesën e televizionit shtetëror më 5 tetor të vitit 2000, duke rrëzuar regjimin e fortë të Sllobodan Millosheviçit.
Mijëra persona marshuan në mënyrë paqësore në qendrën e Beogradit të shtunën. Protesta u mbajtën edhe në disa qytete të tjera serbe, duke përfshirë qytetin e dytë më të madh të Novi Sadit.
Vuçiç ka thënë më parë se nuk do të përkulet ndaj kërkesave të opozitës për reformën zgjedhore dhe rritjen e lirisë së medias “edhe nëse do të kishte pesë milionë njerëz në rrugë”, por tha se ishte i gatshëm të provonte popullaritetin e partisë së tij në një votim të menjëhershëm.
Në Malin e Zi, mijëra persona marshuan në kryeqytetin e Podgoricës, tubimi i pestë në dy muaj, për të kërkuar dorëheqjen e presidentit, Milo Gjukanoviç dhe qeverisë së tij, për shkak të akuzave për shpërdorim detyre, grabitjes dhe kronizmit, shkruan European Western Balkans.
Turmat e protestuesve të udhëhequr nga aktivistë qytetarë dhe studentë dolën nëpër qendrën e qytetit duke kënduar “Hajdut Milo” dhe “Ne jemi shteti”.
Gjukanoviç ka qeverisur Malin e Zi për tre dekada, duke shërbyer si kryeministër apo president.
“Ne duam ndryshime dhe pas 30 vjetësh, mendoj se çdo qytetar e kupton … se diktatori i fundit duhet të largohet”, tha protestuesja Ana Vujosevic.
Në kryeqytetin shqiptar të Tiranës, një protestë fillestare paqësore u bë e dhunshme kur një numër i vogël në turmën me disa mijëra njerëz filluan të shtyjnë dhe hedhin gurë drejt policisë që mbronte parlamentin. Disa protestues dhe policë pësuan lëndime të lehta.
Protesta ishte e pesta që nga mesi i shkurtit, ndërsa opozita kërkon zgjedhje të reja pas akuzave për korrupsion dhe manipulim të zgjedhjeve.
Kreu i partisë Demokratike Lulzim Basha tha se Shqipëria nuk do të ketë paqe derisa kryeministri Edi Rama të largohet për të lejuar zgjedhje të lira dhe të ndershme.
“Shqipëria nuk destabilizohet nga protestat për vlerat evropiane. Ajo është destabilizuar nga krimi dhe bashkëpunimi i qeverisë me të. Kësaj duhet t’i japim fund”, tha Basha.
Më parë si Bashkimi Europian, me të cilin Shqipëria shpreson të fillojë bisedimet e pranimit në fund të qershorit, dhe Shtetet e Bashkuara i kërkuan të gjitha palëve të përmbahen dhe t’i largohen dhunës, shkruan European Western Balkans.