Lajme

Çanak: Rusët planifikojnë vrasjen e Vuçiqit dhe luftë në Ballkan

Nenad Čanak, politikan i njohur nga Vojvodina që e drejton Lidhjen e Socialdemokratëve, ka thënë të shtunën se “Rusia synon vrasjen e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq”, si dhe “nisjen e një konflikti të ri në Ballkan”.

Kjo pasi sipas tij ai “nuk është aleat i besueshëm i Kremlinit”.

Këto komente politikani serb i ka dhënë gjatë një interviste për televizionin e Sarajevës Face TV me gazetarin e njohur Senad Haxhifejzoviq , transmeton Danas, raporton Express.

Čanak po ashtu ka hedhur akuza të rënda në drejtim të anëtarit të Presidencës së Bosnje dhe Hercegovinës, Milorad Dodik.

Sipas tij, “Putini e ka autorizuar Dodikun që t’i bëjë presion Vuçiqit për të mos i vendosur sanksione Rusisë”, për shkak të sulmit rus në Ukrainë.

“Shpirt i shitur” e “njeri imoral”, e ka cilësuar ai Dodikun.

Perëndimi ka kërkuar nga Beogradi që t’i vendosë sanksione Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë.

Serbia e Vuçiqit nuk e ka bërë këtë, megjithatë i ka dalë në mbrojtje Ukrainës për mbrojtjen e sovranitetin territorial.

E “sovranitetin territorial”, Vuçiq e ka përdorur kundër Kosovës për ta cilësuar “hipokrite” ndërhyrjen e NATO-së në vitin 1999, që për qëllim kishte ndaljen e gjenocidit serb në Kosovë.

Përkundër situatës aktuale, Serbia ka vazhduar me marrëveshje të gazit me Rusinë.

Pos kësaj, serbët në Beograd disa herë kanë manifestuar shesheve në mbështetje të presidentit rus Vladimir Putin për politikën e tij në raport me Ukrainën.