Cakaj: Shqiptarët rrezikonin të humbin Bujanocin, ka zbutje të rivalitet mes shqiptarëve
Ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj thotë se më shumë rëndësi se sa rezultati i arritur nga partitë shqiptare në Serbi, ka procesi i bashkimit të tyre. Cakaj tha se, ka një zbutje të rivalitet lokal mes shqiptarëve.
“Më rëndësi se rezultati ka procesi bashkimit të shqiptarëve pasi shënon një hap përpara në zhbërjen e rivalitetit lokal të shqiptarëve. Kjo është hera e parë që ndërtojmë një platformë të përbashkët në raport me Serbinë”, tha ministri.
Përveç zgjedhjeve lokale, serbët këtë të diel votuan dhe për pushtetin lokal, ku partitë shqiptare ndryshe nga zgjedhje parlamentare kanë garuar veçmas. Pavarësisht kësaj, shqiptarët kanë arritur të sigurojnë drejtimin e Bujanovcit.
“Në Bujanovc kishte gjasa që shqiptarët të humbnin shumicën, por kanë arritur të që marrin shumicën”, u shpreh Cakaj.
Ministri i Jashtëm në detyrë tha se, bashkimi i shqiptarëve nuk është bërë për alibi të Aleksandër Vuçiç por bazuar në nevojat e shqiptarëve në Serbi.
Cakaj shtoi se, për këtë kanë punuar bashkë Kosova dhe Shqipëria. Ai tha se, Tirana zyrtare ka marrë përsipër që të financojë këshillin shqiptar në Serbi si dhe është mundësua krijimi i 25 teksteve për arsimin shqiptar.
“Po punojmë për hapjen e konsullatës në Luginën e Preshevës por ende nuk kemi marrë përgjigje nga Serbia”, tha më tej ministri.
I vetëdijshëm se me kompozimin e parlamentit serbi, shqiptarët nuk mund të kenë asnjë ndikim, Cakaj thotë se prania e më shumë deputetëve shqiptarë është një instrument shtesë.
“Nuk kam fare iluzione, edhe sikur të kishim 4-5 nga përbërja në Parlamentit serb nuk sjell ndikim. Është instrument shtesë që forcon zërin e tyre, nuk do të sjellë mrekulli. Është thelbësore për të krijuar një moment për faktorin shqiptar. Natyrisht kjo duhet të kombinohet me forma dhe veprime të tjera. Pasivizimi i adresave, është problem për Medvegjën por që prek Bujanovcin dhe Luginën e Preshevës. Pasi një numër i madh i shqiptarëve që kanë shkuar në Perëndim, adresa e tyre pasivizohen dhe humbin të drejtën e votës”, përfundoi Cakaj.