Lajme

Busti i Skënderbeut vendoset në Ukrainë, foto nga vendi që banohet prej 200 vitesh nga shqiptarët

Figura e heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, u përkujtua me dashuri e nostalgji nga komuniteti shqiptar në Karakurt të Ukrainës. Gjatë këtij manifestimi përkujtimor, komuniteti shqiptar në Ukrainë, e vendosi bustin e heroit kombëtar të kombit shqiptar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Karakurt, një fshat i Ukrainës banuar nga shqiptarët prej më se 200 vitesh. Busti Gjergj Kastriotit është vendosur në qendër të fshatit, ku shqiptarët e Karakurtit do të kenë tashmë mundësinë të identifikohen me heroin e tyre kombëtar dhe pse janë shumë larg vendit amë.

Iniciativa e ndërmarrë nga një grup shqiptarësh me mbështetjen e Postës Shqiptare ka realizuar këtë kërkesë të kahershme të mbi 2500 shqiptarëve që jetojnë në këtë vend. Të ardhur nga zona të ndryshme të vendit, kryesisht nga rrethinat e Korçës, pjesa më e madhe e tyre vijojnë të komunikojnë me njëri-tjetrin në gjuhën shqipe. Kryetarja e Bashkisë Elena Zheceva, në emër të gjithë banorëve vlerësoi vendosjen e bustit të Gjergj Kastriotit në qendër të fshatit dhe nënvizoi rëndësinë që kjo vepër ka në forcimin e unitetit mes tyre dhe shtetit amë. Ajo falënderoi grupin iniciator për këtë nismë si një mesazh i rëndësishëm në komunikimin me diasporën tonë në Ukrainë. Më tej, ata i shoqëruan dhe në shtëpinë e Kulturës, në muzeun dhe bibliotekën e Fshatit Karakurt