Maqedoni

Bujar Osmani pritet të jetë kandidati i BDI-së për president të Maqedonisë së Veriut

Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka bërë të ditur se Bujar Osmani do të jetë kandidat për president të Maqedonisë së Veriut në zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen në muajin maj, raporton Gazeta Sinjali.

Përmes një lidhjeje direkte në rrjetin social Facebook, Osmani ka thënë se ish-kryediplomati Osmani e ka dëshmuar veten si politikan dhe tani është koha për betejën e radhës.

“Bujari ka dëshmuar vetën në skenën vendore dhe ndërkombëtare dhe ka ngadhnjyer në betejën kundër Rusisë si dhe ka qenë pjesë e ekipit tonë për ndryshimin e Kushtetutës, anëtarësimin në NATO dhe nisjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian. Me Bujarin po e nisim referendumin më të rëndësishëm të kohës dhe betejën e radhës për ta fituar besimin tuaj që ta zgjedhim Presidentin në Kuvend me shumicë të dy të tretave të votave dhe me Badinter, për të realizuar vizionin tonë për President konsensual”, ka thënë Ahmeti.

Kryetari i BDI-së ka prezantuar edhe sloganin e zgjedhjeve që do të jetë “Jo Rusisë, Po Evropës”.

Ahmeti ka thënë se nuk do të jetë pjesë e asnjë qeverie që nuk bën ndryshimet kushtetuese. Ka kërkuar që të bëhen ndryshime që Kuvendi ta zgjedhë presidentin me 2/3 e votave. Aktualisht, në Maqedoni presidenti zgjidhet me votat e qytetarëve.

Zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale pritet të mbahen gjatë majit në Maqedoni.

Shqiptarët do të kenë dy kandidatë për president. Osmani nga BDI-ja dhe Arben Taravari i opozitës do të jenë kandidatë shqiptarë për president të Maqedonisë së Veriut.

Iu duhen 10 mijë nënshkrime për ta zyrtarizuar kandidaturën.

Afati hapet më 23 shkurt.

Zgjedhjet presidenciale shkojnë në dy runde. Në rundin e dytë apo të balotazhit shkojnë dy kandidatët më të votuar.