Brukseli nxiton të organizojë një takim të dialogut para Washingtonit
Dy ditë para takimit në Washington, Brukseli fton palët për dialog
Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e me gjasë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq apo kryeministrja e këtij vendi, Ana Bërnabiq do të shkojnë të enjten në Bruksel për të simbolizuar me një takim në selinë e BE-së rifillimin e dialogut.
Sipas disa burimeve planifikohet që gjatë verës të ketë më shumë takime dhe ato mund të rezultojnë edhe me një Samit në Paris ku do të merrnin pjesë jo vetëm liderët politikë të Kosovës dhe Serbisë por edhe dy politikanët më të fortë evropianë, presidenti i Francës, Emanuel Macron dhe kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Se BE-ja është duke u nxituar që të organizojë sa më shpejtë një takim në kuadër të dialogut dëshmon edhe vizita që Miroslav Lajçak i ka bërë të hënën Beogradit, vetëm një ditë pasi atje u zhvilluan zgjedhjet të cilat bindshëm i fitoi partia në pushtet e presidentit Aleksandar Vuçiq duke e bërë Serbinë një shtet praktikisht pothuajse pa opozitë.
BE-ka ka qenë në siklet të hënën duke mos e ditur se a duhet uruar apo jo një fitore të tillë. Por diplomatët në BE kanë thënë se ata llogarisin në bashkëpunimin e Vuçiqit që mund të sjellë deri tek një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, e cila do të mund të mbyllte “të gjitha çështjet e hapura”.
Edhe pse në BE pohojnë se “u takon vet kosovarëve të vendosin se kush do t’i përfaqësojë në dialog” presin që të enjten në Bruksel të vijë kryeministri Avdullah Hoti.
Qëndrimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili është i vetmi politikan edhe nga BE-ja edhe nga palët i përfshira në këtë dialog që nga fillimi i tij, ka pasur një qëndrim jokonsistent rreth rolit të BE-së në lehtësimin e dialogut. Pas shumë deklaratash se ai nuk do të bashkëpunojë me të dërguarin e posaçëm të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, ai megjithatë e takoi këtë diplomat të BE-së gjatë vizitës së tij të fundit në Prishtinë.
Në Bruksel vlerësojnë se ka një koordinim tash mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Hoti rreth dialogut por insistojnë se “BE nuk do të përzihet në polemikat e brendshme se kush duhet ta përfaqësojë Kosovën” dhe se “BE po ashtu pret që Kosova të mos përzihet në atë se kush do ta përfaqësojë BE-në”.
Kjo e fundit duket si aludim në vërejtjet e herë pas hershme të palës kosovare, përfshirë edhe presidentin Thaçi, për emërimin e ish-ministrit të jashtëm të Sllovakisë në rolin e ndërmjetësuesit pasi ai vjen nga një shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Thaçi disa herë ka thënë se ai ka preferuar rolin udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në ndërmjetësimin e këtij dialogu. Prandaj për Bashkimin Evropian, nëse realizohet takimi i së enjtes, do të ketë së paku një rëndësi simbolike sepse do të mund të thonë se ai është para takimit që me 27 qershor zhvillohet në Washington. Këtë takim në Washington e ka thirrur Richard Grenell, i dërguar i presidentit Trump për dialogun.
Në këtë mënyrë forcohet përshtypja se është duke u zhvilluar një garë mes SHBA-së dhe BE-së se kush do të ketë rol më të rëndësishëm në dialog ndonëse në Bruksel vazhdojnë të pohojnë se “nuk bëjnë garë me askënd” dhe se “BE është e vetmja lehtësuese e këtij dialogu sipas vendimit të Asamblesë së përgjithshme të OKB-së”.