Brnabiq takon Xi Jinping: Serbia dhe Kina janë miq të hekurt
Serbia po sheh gjithnjë e më shumë nga Kina, për të “salduar miqësinë e hekurt”. Kryeministrja Ana Bërnabiç, që gjendet në Pekin, u takua me presidentin kinez, Xi Jinping, me të cilin diskutoi kryesisht për marrëdhëniet ekonomike, por edhe për gjeopolitikë.
“Biseda me Xi Jinping shkoi mirë. Presidenti i Kinës tregoi se ai do të vijë në Serbi vitin e ardhshëm. Kjo është gjëja më e rëndësishme për qytetarët tanë. Bashkë konfirmuam se Kina nuk do ta ndryshojë kurrë qëndrimin e saj për Kosovën dhe se Serbia do ta respektojë gjithmonë politikën e një Kine të vetme”, u shpreh kryeministrja serbe.
Nga ana tjetër, Presidenca e Kinës njoftoi se Xi Jinping vuri në dukje “miqësinë e pastër dhe të hekurt” mes të dyja vendeve dhe nevojë për forcimin e bashkëpunimit.
“Kina mbështet Serbinë në ndjekjen e një rruge të pavarur zhvillimi dhe është e gatshme të forcojë koordinimin dhe bashkëpunimin shumëpalësh me Serbinë për të mbrojtur bashkërisht ligjin dhe drejtësinë ndërkombëtare”, thuhet në një njoftim.
Ndërkohë, në Beograd retorika kundër Kosovës sa vjen e shtohet, e nxitur nga fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare. Drejtori i zyrës së ashtuquajtur për Kosovën në qeverinë serbe, Petar Petkoviç, pretendon se Kosova ka refuzuar ftesën e BE-së për një raund të ri dialogut që duhej të mbahej më 7 nëntor.
Gjithashtu njoftoi se i ka drejtuar një kërkesë me shkrim zyrës së OSBE-së në Kosovë për të siguruar angazhimin e këtij misioni në mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare serbe edhe në Kosovë.