Tensionet në maksimum, media greke: Forcat turke hapën zjarr në Evros
Forcat special turke kanë hapur zjarr në kufirin me Greqinë pranë lumit Evros.
Incidenti raportohet nga “Protothema”. Sipas saj në orën 03:00 të mëngjesit të 7 prillit një grup oficerësh të policisë greke nga Departamenti i Gardës Kufitare Didimoteiko, ndërsa po patrullonin pranë fshatit Sofiko, dëgjuan të shtëna me armë të dendura nga pala turke.
Dhjetë minuta më vonë, turqit u kthyen dhe pasi kishin zënë pozicione ngjitur me lumin Evros në anën e tyre të kufirit, rifilluan të qëllonin në ajër. Kjo sipas mediave fqinje ka qenë një përpjekje për të provokuar patrullën greke të përfshihej në konfrontim.
Sidoqoftë, policia greke përsëri nuk pranoi t’u përgjigjej të shtënave, duke vlerësuar se ky mund të jetë një plan i organizuar mirë për të mbajtur tensionin në rajon.
Pak më vonë, rreth orës 4.15 të mëngjesit, u dëgjuan të shtëna për herë të tretë. Në këtë rast, ushtarët e forcave speciale të Ushtrisë Turke kishin qëlluar në një vijë të drejtë dhe në një distancë prej më pak se 100 metra para policisë Greke.
Si lidershipi politik i Ministrisë së Mbrojtjes Civile, ashtu dhe zyrtarët e tjerë dhe aktorët e përfshirë në ruajtjen e kufijve tokë greko-turq u njoftuan menjëherë për incidentin.
Sipas burimeve të Protothema nga ministria e Jashtme, ky episod ka syuar të mbajë lart tensionet në lumin Evros përmes të cilit mijëra emigrantë kaluan nga Turqia në Greqi disa muaj më parë. Por rritja e nivelit të lumit kohët e fundit ka bërë që të ketë një prezencë më të ulët të forcave turke gjë e cila sipas palës greke do ta bënte më të vështirë kalimin e emigrantëve për të cilin ata akuzojnë si nxitës drejtpërdrejtë Ankaranë. /opinion.al/ministrilajmeve.com