Borell i bën thirrje Serbisë ta tërheqë ushtrinë nga kufiri me Kosovën
Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian (BE) për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, i bëri thirrje Serbisë të shtunën ta ndalë menjëherë zhvendosjen e ushtrisë përgjatë kufirit me Kosovën dhe t’i tërheqë trupat e vendosur deri tani.
Zhvendosja trupave serbe përgjatë kufirit me Kosovën vjen rreth një javë pas sulmit të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit, ku mbeti i vrarë një zyrtar policor.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha për disa media ndërkombëtare se blloku është duke diskutuar me partnerët dhe aleatët e vet për gjendjen e tanishme veri të Kosovës, ku sasia e armatimit të gjetur nga Policia e Kosovës “është shumë serioze”.
“Në të njëjtën kohë grumbullimi ushtarak i Serbisë në afërsi të linjës administrative kufitare është shumë shqetësuese. Kjo duhet të ndalet menjëherë”, tha Borrell raporton REL.
Ai nguli këmbë se “nuk ka vend për grumbullim të ushtrisë dhe forcave të sigurisë në kontinentin e Evropës. Forcat duhet të tërhiqen“.