Bob Dylan, Elton John dhe Queen dominojnë në publikimet për Record Store Day
Dita e Dyqaneve Muzikore (Record Store Day), ngjarja vjetore e cila i dedikohet shitoreve të pavarura muzikore, e ka zbuluar listën e publikimeve të këtij viti me edicion të kufizuar.
Me pothuajse 400 opsione (kryesisht) vinili në dispozicion, me sa duket ka diçka për çdo adhurues të muzikës.
Disa nga shumë artistët kontribues janë Bob Dylan, Prince, Pink Floyd, Grateful Dead, Peter Gabriel, Elton John, John Lennon, Roxy Music, R.E.M., Rolling Stones dhe shumë të tjerë.
“Kemi marrë mbështetje të mahnitshme nga të gjitha etiketat muzikore edhe këtë vit”, deklaroi bashkë-themeluesi i Record Store Day, Michael Kurtz. “Është disi e ndarë nga biznesi i muzikës në përgjithësi, gjë që pak a shumë është vetëm streaming tani, me vetëm disa përpjekje për vinyl”.
Një nga artikujt më të pritur është “Blood on the Tracks” nga Dylan – “Original New York Test Pressing”. Kjo LP po konsidereohet “një kopje ekzakte të origjinaleve testuese” të albumit të njohur të këngëtarit-kompozitorit nga viti 1975. Dylan dihet se u kthye në studio në Minneapolis dhe e regjistroi gjysmën e materialit për LP-në origjinale. Edhe pse pjesa më e madhe e asaj që ishte në testin e vitit 1974 u përfshi në boxin “More Blood, More Tracks” të vjeshtës së kaluar, ekskluzivja e Record Store Day premton “mikse unike të disponueshme për herë të parë ndonjëherë”.
Në vazhdën e suksesit të tyre me Bohemian Rhapsody, Queen do ta prezantojë një disk të kolonës zanore fituese të Oscarit me rastin e Record Store Day. Ndaras, në një singël ekskluziv anëtarët e mbijetuar të bendit bashkëpunojnë me Taylor Hawkins të Foo Fighters dhe, në mënyrë posthume, me Dennis Wilson nga Beach Boys, shkruan KOHA Ditore.
Flaming Lips do ta përdorë Record Store Day për ta publikuar studio albumin e tyre të 15-të, Mouth King, si një vinyl special të artë 12 inçësh. Albumi e shënon muzikën e parë të bendit që nga viti 2017. 12 këngët origjinale të LP-së janë të lidhura së bashku me narracionin e Mick Jones të Clashit. Ata që nuk e blejnë një nga 4.000 LP-të e publikuara në Record Store Day do të duhet të presin deri në korrik për ta blerë albumin.
Albumet ekskluzive live janë bërë traditë për Record Store Day, ndërsa albumet e këtij viti duken veçanërisht të forta. Live From Moscow nga Elton John, i regjistruar gjatë vizitës së këngëtarit në Bashkimin Sovjetik më 1979, po publikohet për herë të parë në çfarëdo formati. Ambasadori i sivjetshëm i Record Store Day, Pearl Jam, do ta festojë publikimin e parë në vinyl të Live at Easy Street Records. Origjinali është publikuar në CD për dyqanet e muzikës indie 14 vjet më parë dhe shumë shpejt “u avullua”.
“U2” do ta publikojë një EP të re live për Record Store Day, e marrë nga turneu i tyre i kohëve të fundit Experience. Rolling Stones do ta publikojnë një singël në vinyl njëanësh 10 inçësh me edicion të kufizuar, ku gjendet “She’s a Rainbow” e regjistruar gjatë një koncerti në vitin 2017 në “U Arena” në Paris. Dhe ndërsa R.E.M. nuk janë zyrtarisht në listë, bendi do ta publikojë “Live at the Borderline” të vitit 1991 me titullin “Bingo Hand Job”.
Publikime të tjera live përfshijnë Last in Line (live) nga Dio, Billy Joel Live at Carnegie Hall 1977 dhe Ramones Live in Palladium.
Ata që kërkojnë “versione alternative” të LP-ve klasike do të kenë zgjedhje nga disa artistë të mrekullueshëm. John Lennon, Van Morrison dhe Fleetwood Mac do të publikojnë materiale që rrjedhin nga box setet e mëparshme CD – Imagine, Astral Weeks dhe Fleetwood Mac. Ndërkohë, Pink Floyd do ta ofrojë një version të rrallë mono të albumit të tyre të vitit 1968, “A Saucerful of Secrets”. “Crosby, Stills, Nash & Young” gjithashtu do të kyçen, duke e publikuar një edicion të zgjeruar prej tre LP me hit albumin e tyre live nga viti 1971, “4 Way Street”.
Dy ikona të ndjera do të shtohen në katalogët e tyre përkatës. Prince i ka dy publikime që do të vijnë në Record Store Day. Njëri është një set dy LP-sh i titulluar “His Majesty’s Pop Life”; tjetri është një kasetë me titullin “Prince: The VERSACE Experience”. Ky i fundit është një riprodhim i një kasete që u është dhënë pjesëmarrësve në një shfaqje të modës në vitin 1995, dhe i cili përmban këngë dhe remikse ekskluzive.
Ndërkohë, do të publikohet një ripublikim i përmbledhjes së David Bowie nga vitet ’60 “The World of David Bowie”, së bashku me një disk fotografik të albumit Pin-Ups dhe një singël së bashku me bashkë-yllin e “Just a Gigolo”, Marlene Dietrich.
Të pranuarit e sivjetshëm të Rock and Roll Hall of Fame, Roxy Music, do ta sjellin një double-remiks 12 inçësh i cili përmban remikse që ishin planifikuar më parë për box setin e fundit në përkujtim të albumit debutues të bendit.
Mastodon do ta publikojë një vinyl të kufizuar 10 inçësh ku e mbulon “Stairway to Heaven” të Led Zeppelin. Singli i dedikohet menaxherit të Mastodon, Nick John, i cili vdiq në shtator.
Artistë të tjerë të përfaqësuar me materiale të reja ose të publikuara më parë janë: Def Leppard, Alice Cooper, Eric Clapton, Jethro Tull, Robert Plant, Police, Rush, Santana, Doors dhe Motorhead. Record Store Day është më 13 Prill.